Mbrëmja e nesërme gjen në fushë Young Boys dhe Tiranën, dy ekipe që shorti i ka përplasur bashkë në play off për të luftuar për një biletë në grupet e Europa League. Nëse për bardheblutë kjo është sfida e jetës, për kampionët e kampionatit helvet duket se situata është krejt ndryshe. Thjesht një fitore e radhës konsiderohet kjo ndeshje për ta.
Emri i Tiranës nuk tremb aspak në Zvicër, aq sa e konsiderojnë të paimagjinueshme se nxjerrja jashtë loje në Europa League mund t’i vijë nga bardheblutë. Diçka e tillë pasqyrohet qartë në fjalët e prestigjozes zviceriane “Blick”, që në fund të intervistës me trajnerin e Young Boys shkruan:
“Dhe është e vështirë të imagjinosh se ky përbindësh i ndeshjeve në shtëpi do të ndalohet nga Tirana e vogël, që mbi të gjitha në historinë e saj 55-vjeçare në Kupat e Europës kurrë nuk ka shkaur përtej një raundi të dytë”.
Fjalë këto ku nuk lihet më vend për diskutim se në Zvicër nuk e konsiderojnë aspak Tiranën si një kundërshtar që mund të dalë triumfues në Bern. Për më tepër, është vetë fakti se Toung Boys nuk humb në shtëpi për më tepër se 1 vit ai që e shtyn më tepër opinionin zvicerian të mendojë se fitorja për Young Boys as që duhet të vihet në dyshim mbrëmjen e nesërme./Halit Delibashi-Sport Ekspres/