Mirlind Daku do të ishte një nga përforcimet e Kukësit sa i përket lojtarëve shqiptarë që janë marrë nga Kosova. Një futbollist me potencial të madh për të ardhmen dhe që shkëlqeu pak kohë më parë në Kosovë, ndërsa për trajnerin Ismet Munishi duhej vlerësuar 1 milionë euro kartoni i këtij sulmuesi. Daku shkoi në Kroaci dhe iu bashkua ekipit të dytë të Osijek, atje ku edhe pas një periudhe mes dëmtimesh nuk e shfrytëzoi në maksimum këtë mundësi. Kjo solli edhe historinë e re që e dërgoi te Kukësi, ndërsa Daku mbeti në hijen e Vasil Shkurtajt.
Në ato pak ndeshje që u aktivizua te verilindorët u pa qartësisht se Mirlind Daku e tërhiqte skuadrën përpara dhe se kishte një potencial të madh në këmbët e këtij lojtari. Gjithsesi te Kukësi nuk zgjodhën që të prisnin dhe e larguan sërish Dakun për ta lënë të lirë. Fillimi i kampionatit në Kosovë e gjen në formë të jashtëzakonshme këtë futbollist që ka shënuar edhe një tjetër tripletë ndaj Feronikelit, në fitoren e marrë nga Ballkani 3-2.
Tanimë janë 6 golat e shënuara në 2 takime, me këto statistika që flasin qartë për shpërthimin e Dakut. Një rast ky që me shumë fat mund të kthehet edhe si Vedat Muriqi në të ardhmen, por në krahun tjetër është thuajse e sigurtë që do të përsëris Kristal Abazajn, për t’u kthyer dhe për të shpërthyer edhe njëherë tjetër në shtëpi dhe për të kapur mundësinë e dytë në Europë. Abazaj ia doli në Superiore, ndërsa Daku në Superligën e Kosovës. /Sport Ekspres/