Tirana përsërit gabimin e bërë nga Partizani? Largimi i Arbi Laçit, pak qetësi për hir të “Europa League”

Nëse një fitore e arritur nuk mund të gjykohet, atëherë si mund të gjykohet një ekip fitues që sjellë pas shumë vitesh suksesin e munguar dhe realizon një objektiv? Kurrsesi! Në Shqipëri ndodhin lëvizje të shpeshta dhe të befasishme ku siguria është gjëja e fundit që mund të shkojë ndërmend, pavarësisht rezultatit. Skënder Gega ia doli të kthejë Partizanin në majën më të lartë, për të përgatitur menjëherë valixhet dhe për të shkuar në shtëpi.

Shumë diskutime, shumë gjëra u përfolën në media, shumë deklarata dhe një e vërtetë që mbeti sërish “e prangosur”. Asnjë logjikë e vetme nuk mund ta perceptonte vendimin që rrugët e Gegës dhe Partizanit të ndaheshin. Rezultatet u panë menjëherë në sezonin pasardhës atje ku të kuqtë nuk siguruan as një vend në Europë, ndërsa për më tepër lanë edhe kështjellën e tyre më të fortë, derbin me Tiranën.

Për të vazhduar më tej! Te bardheblutë nisi një tjetër histori e ngjashme atje ku Egbo ishte duke rrezikuar stolin, të paktën në raportimet e mediave. Por nga ana tjetër presidenti Halili e konfirmoi për vazhdimësinë duke hequr hijet e një makthi për të përsëritur gabimin që bëri Partizani.

Por edhe vendimi për të pranuar dorëheqjen e Arbi Laçit, drejtori sportiv që ka punuar deri tani te Tirana, nuk është aspak i mirë për skuadrën. Pa iu futur sukseseve të tij personale në këtë pozitë te bardheblutë, gjykimi do të dërgojë në të njëjtin përfundim. Rruga u hap për talentet dhe prurjet ishin nga ato që bënin diferencën.

Për më tepër dashuria që ka Arbi për ngjyrat e këtij klubi daton që në vegjëli, për të hedhur kështu poshtë tezën e një largimi që mund të ketë ardhur pasi vetë drejtori kërkon të provojë një tjetër eksperiencë. Kurrsesi nuk mund të jetë kjo!

Në të gjitha deklaratat e bëra nga vetë Laçi me lumturinë më të madhe që Tirana po kthehej atje ku kishte kërkuar vetë mes ulërimave dhe ngjirjeve të zërit si tifoz i flaktë, flitej për një projekt afatgjatë që vetëm sa ishte duke korrur frytet e para. Pra vendimi për t’u dorëhequr nuk ishte aspak një meditim i gjatë që kishte kohë që kishte nisur, por ka qenë një vendim i momentit.

Largimi i tij dhe Mario Nikollit, një grup fitues te Tirana kampione, kanë të njëjtën peshë po aq sa edhe largimi i Gegës nga Partizani. Pasi në një klub ndahet e njëjta peshë përgjegjësie mes drejtorit sportiv dhe trajnerit, ku në rast suksesi dhe dështimi, fatura duhet të paguhet 50 me 50.

Megjithatë për hir të situatës ku ndodhet Tirana, për momentin duhet të ketë heshtje. Jo vetëm për të mirën e Tiranës, por edhe të futbollit të Shqipërisë pasi e kërkojmë një ekip shqiptar në grupet e “Europa League”. Për hir të përballjes ndaj Young Boys nuk duhet të ketë më tepër diskutime që do ta dëmtojnë skuadrën përpara ndeshjes më të rëndësishme të viteve të fundit.

Më pas duhet të jepet një përgjigje për këto zhvillime të ndodhura dhe që mbeten të befasishme, të cilat nuk lënë shije të mirë as tek tifozët. “Përse-t” duhet të marrin përgjigje, por nuk është ky momenti i duhur. Për më tepër edhe vetë reagimi i shkurtër i Arbi Laçit shpreh shumëçka mes pak rreshtave: “Më mirë ta mbyllësh si kampion”. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *