“Sikur Kosova të kishte stadiumet e Shqipërisë”, Redi Jupi: Atëherë merrnin lojtarë nga Superiorja…”dërr në thes”

Nga Klaudio Ndreca

Gjithmonë ngrihet pyetja nga opinioni sportiv në Kosovë dhe Shqipëri për të gjetur përgjigjen: “Ku është niveli i të dy kampionateve?”. Redi Jupi është i qartë me idenë e tij duke u shprehur në emisionin “Dueli Sportiv” se Kosova po i kalon shumë më shpejt se Shqipëria etapat, por diferencat mbeteten ende të dukshme në aspektin e kampionatit.

Pavarësisht se klubet në fakt janë edhe më të pasura në Kosovë, pasi kanë mundësi të paguajnë lojtarë që në Superiore nuk munden, imazhi që të ofrohet mbetet i rëndësishëm. Jupi vendos theksin në faktin se në Shqipëri është investuar shumë në infrastrukturë dhe pamja që krijohet nga një ndeshje në një stadium të bukur, e rrit edhe më tepër cilësinë e përballjen. Ndërkohë nga ana tjetër bën veprimin e kundërt në një stadium që ngjason me fushën stërvitore, ku humbin vlerën edhe realizime që mund të jenë brilante.

“Unë kam pasur mundësinë që të ndjek kampionen e Kosovës dhe më jep një imazh se çfarë po bëhet me futbollin e Kosovës. Për momentin Kosova nuk është në nivelin ku është futbolli në Shqipëri. Nuk po them se ne jemi në nivelin më të lartë, madje uroj që ta kalojë. Duke qenë se isha vetë pjesë e futbollit në Shqipëri, konstatoj disa probleme të atëhershme të tonat që janë prezente tani në Kosovë.

Futbolli i Kosovës ka kaluar disa etapa më shpejtë se ne me seriozitetin e klubeve, të fazës përgatitore që zhvillojnë dhe me strukturat që kanë. Por nëse futbolli i Kosovës do të kishte infrastrukturën, pra stadiumet e Shqipërisë, do të kishte një imazh tjetër. Sepse në nivel janë të përafërta. Por duke luajtur si në fushë stërvitore në Kosovë, ndonjëherë niveli të duket se është më i ulët nga çfarë është realisht. Ndërkohë ti aty shikon gola të bukur, lojtarë interesant dhe mbi të gjitha që klubet shqiptare nuk i paguajnë dot. Përshembull Sabien Lilaj dhe Mici nuk kanë ardhur në Shqipëri pasi nuk paguheshin dot nga klubet e Superiores.

Disa klube shqiptare përpara 15 apo 20 vitesh, i blenin futbollistët nga 13 apo 14 dhe i sillnin me fugon në një farë mënyre. Kjo ishte munges eksperience, e skautimit dhe organizimi i keq i klubit. Por dalëngadalë duke njohur kampionatin, veten dhe të tjerët, mbërritëm në një fazë ku dimë sesi blejmë.

Nuk po themi që jemi në perfeksion, por jemi përmirësuar. Këtë e shikoj tani me kënaqësi në Kosovë. Se në fillim kur ekipet e Kosovës merrnin lojtarë nga Superiorja, merrnin ndonjëherë edhe…ne kemi një shprehje tonën: “si dërr në thes”. Vetëm se një lojtar luante tek Tirana apo ndonjë ekip i madh në Shqipëri, domosdoshmërisht duhej të blihej edhe në Kosovë. Jo, në vitet e fundit po blihen futbollistë cilësor. Është problem i moshës së madhe, pasi ne duhet të jemi fidanishte për të prodhur lojtarë të rinjë”, tha Jupi. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *