Son Heung Min ishte heroi i Totenhemi në përballjen e djeshme kundër Southempton. Në transfertën e fituar në shifrat 2-5, jo gjithçka shkoi me përsosmëri për ekipin e Murinjos. Vendasit kaluan të parët në avantazh dhe në “Twitter” do të kishte një vërshim komentesh që kërkonin largimin e trajnerit.
Në skenë do të dilte sulmuesi koreano-jugor që shënoi 4 gola, duke qenë protagonist kryesor i spektaklit që u ofrua në këtë ndeshje. Menjëherë pas përfundimit të 90 minutave, Murinjo i ka bërë një vlerësim të madh duke e krahasuar me legjendën e padiskutueshme të Brazilit, Ronaldo fenomenin. Madje duke i bërë edhe një pagëzim emrit të ri, me një ide të ardhur nga djali i Jose Murinjos.
“Edhe përpara këtyre golave, djali im e ka quajtur Son Heung Min si Son-Aldo-Nazario. Dhe në fakt dje ndaj Southampton ishte Son-Aldo-Nazario. Kjo pasi e vetmja gjë që mua më vjen ndërmend është goli që unë kisha nderin ta shihja në ndeshjen Compostela-Barcelona në 1996. Ronaldo Nazaria e mori topin nga mesfusha dhe shënoi një gol shumë të ngjashëm me Son. Është e vetmja gjë e cila më shkon ndërmend tani”, u shpreh Murinjo. /Sport Ekspres/