Nga Klaudio Ndreca
E gjithë kryeqendra e vëmendjes në ndeshjet që do të zhvillojnë ekipet shqiptare në Europë mbetet te përballja mes Kukësit dhe Wolfsburgut. Verilindorët do të kenë përballë tyre një përfaqësues të Bundesligës që renditet mes vendeve më të larta që të japin mundësinë për të shkuar në Europë.
E kush më mirë sesa Altin Lala mund ta analizonte këtë ndeshje? Një ikonë e Shqipërisë dhe që ka bërë histori të madhe edhe në Gjermani, duke mbetur një figurë që nuk harrohet lehtë në futboll. “Sport Ekspres” ka zgjedhur që ta intervistojë për të kuptuar më tepër rreth shanseve që do të ketë Kukësi kundër Wolfsburg, me analizën e bërë nga një figurë si Lala që e njeh shumë mirë nivelin në të dy kampionatet.
Nuk mund të mungonin edhe batutat në këtë intervistë, atje ku ikona e Kombëtares i ka sygjeruar lojtarëve të Kukësit që të qendrojnë afër lojtarëve të Wolfsburgut dhe t’i trembin paksa për pandeminë, duke luajtur me frikën e tyre më të madhe. Gjermanët kërkuan zhvendosjen e ndeshjes në Gjermani dhe evituan konferencën e trajnerit të tyre në Shqipëri, vetëm për shkakun e frikës se mos infektohen në vendin tonë kur pritet nisja e Bundesligës.
Atëherë Altin, do të jesh në stadium për ndeshjen e “Air Albania”?
Jo, jo! Është shumë e vështirë të udhëtosh në këto kohë dhe të hapin probleme më kot.
Për të folur pak për ndeshjen më konkretisht, sa hapa përpara është Wolfsburgu ndaj Kukësit?
Diferenca në këtë rast mund të bëhet sipas kampionateve ku ata luajnë. Pra kemi Bundesligën me Superioren dhe sigurisht që Wolfsburgu është më favorit për këtë takim. Për më tepër që futbolli gjerman është shumë i vështirë pasi është fizik. Ne i përshtatemi më tepër atij italian. Sigurisht që edhe këtu ka diferenca të mëdha, por jemi të mësuar më tepër me lojën e italianëve. Por mund të ndodh gjithçka.
Pra ekziston sadopak mundësi që Kukësi t’i befasojë gjermanët?
Po ndeshja nuk është e fituar ende për Wolfsburgun. Nëse Kukësi do të punojë mirë në mbrojtje dhe mesfushë për të mos i lënë shumë hapësirë kundërshtarit, patjetër që do të ketë edhe shanset e tij. Por nga ana tjetër mos të harrojmë që flitet për Wolfsburgun i cili është një nga ekipet më të mira në Gjermani. Megjithëse duhet thënë se në vitet e fundit nuk ka pasur shumë nivel konstant. Ajo që unë thashë është vetëm se Wolfsburgu është më tepër favorit për ta fituar se Kukësi. Pastaj jam kurioz edhe vetë që ta shoh sesi përfundon kjo përballje. Ata kanë edhe një sulmues të mirë holandez që duhet të bëjmë shumë kujdes.
Pra kundërshtari do të vijë i motivuar maksimalisht në këtë përballje?
Sigurisht, nuk do të ketë nënvlerësim. Ose më saktë kështu e mendoj unë pasi mbetet që të presim. Ky është mentaliteti gjerman dhe mbi të gjitha luhet vetëm një ndeshje prandaj Wolfsburgu do ta marrë shumë seriozisht. Ndërsa nga ana tjetër, Kukësi nuk ka se çfarë mund të humbë.
Ndërkohë për Safet Gjicin ka shumë shanse që Kukësi të fitojë pasi fundja luhet 11 kundër 11 lojtarëve…
(Qesh) Safeti njihet si një njeri shumë optimist, mendon shumë pozitivisht. Në fakt në këtë linjë duhet ecur pasi ndrysho shko dil në nxehmje dhe pastaj mbyll ndeshjen, mos luaj fare në fushë. Nuk është e mbyllur asgjë.
E si shpjegohet kjo frikë kaq e madhe e gjermanëve për udhëtimin e tyre në Shqipëri?
Është brenda normalitetit, nuk ka frikë të madhe. Thjeshtë tregohen shumë të kujdesshëm për higjenën dhe nuk duan që të dalin nga Shqipëria me të infektuar pasi mos harroni se fillon edhe Bundesliga tani. Prandaj lojtarët e Kukësit duhet t’i rrinë sa më afër atyre të Wolfsburgut që t’i frikësojnë pak për ndonjë infektim nga pandemia. Kështu mund të kenë frikë dhe të largohen ata. (qesh)
Kukësi-Wolfsburg dhe Teuta-Granada. Nëse ka një shans që të vijë një mrekulli nga këto ekipe, nga do të vinte?
E di sesi do ta cilësoja ndryshe unë?
Si?
Kukësi do të ketë përballë Volksvagenin, ndërsa Teuta nuk do të luajë kundër Granadas, por kundër “bombës”. (qesh) Për humor kjo, por janë të dyja ekipe shumë të forta këto në Europë. Duhet të provojmë shanset tona dhe nuk duhet të harrojmë që i bëjnë mirë imazhit të futbollit tonë në ngritje pasi kanë kaluar turin 4 ekipe.
E për ta përmbyllur me këtë sukses. Disa e quajnë edhe rastësi, a ishte kjo korrja e frytit të punës?
Jo, nuk mund të quhet rastësi kur kalojnë 4 ekipe. Sigurisht që duhet edhe fati me vete, por kjo vjen nga rritja e cilësisë së futbollit tonë, angazhimi i Federatës gjithashtu ka qenë shumë pozitiv. Unë vetëm shpresoj që Shqipëria të vazhdojë në këto hapa pasi jemi duke u ngritur vërtet në nivel. Kur shohim shembuj në rajon si Kroacia që prodhon shumë talente, atëherë vetëm duhet të vazhdojmë në këto hapa. E përsëris edhe njëherë se jemi duke u rritur. /Sport Ekspres/