Apolonia është rikthyer të luajë në Superiore pas një sezoni të shkëlqyer që realizoi n Kategorinë e Parë. Një klub që është i përbërë nga lojtarë të rinj e të talentuar dhe që premton të jetë surpriza e këtij vit. Strategjia e fierakëve është e qartë, jep më të mirën për fanellën e Apolonisë në mënyrë që të sigurosh ofertën që do të sjelli edhe hapin cilësor në karrierë.
Këtë e pohon edhe vetë presidenti Koço Kokëdhima në emisionin “Rubrika Sportive“ në “RTSH“. Por nuk mund të mungonte një pyetje në lidhje me largimin e atij që i solli fierakët deri elitë, Mërgjyshit. Kokëdhima qartëson se bashkëpunimet nuk zgjasin përjetësisht, ndërsa lë të hapur derën për të punuar sërish në të ardhmen.
“Skuadra jonë është e re, si në moshë edhe në Superiore. Kemi shumë djem të talentuar dhe drejtues të mirë. Besojmë shumë që ky sezon do t’i ndihmojë shumë lojtarët tanë që të rriten dhe të shtegëtojnë drejt futbollit të pasur. Apolonia vërtetë nuk mund të paguajë paga të larta, por i jep karrierë shumë të mirë. Ne nuk i japim dot para se nuk fitojmë dot para.
Largimi i Mërgjyshit? Ai është i prirur për të punuar me të rinjtë. Kështu që ka dhe do të ketë respektin dhe vlerësimin tim përgjithmonë. Nuk ka bashkëpunime të përjetshme. Ato funksionojnë një periudhë kohe, i hapin rrugë bashkëpunimeve të tjera, rikthehen përsëri. Ne e kemi pasur 3 herë trajner Mërgjyshin në këto 20 vite, kështu që mund ta kemi dhe një herë të 4-t apo të 5-të.
Në fillim të këtij sezoni 6 lojtarë të Apolonisë janë kërkuar nga klube të tjera. Ne menduam që ata duhet të luajnë me Apoloninë në Superiore këtë sezon. Duhet të bëjnë mirë dhe të bëjnë një marketing shumë të mirë për veten që edhe vlera e tyre të rritet dhe destinacioni të jetë sa më i lumtur për ta. Qëllimi ynë është pikërisht ky, që të promovojmë lojtarët e rinj për t’i rritur vlerën sivjet në mënyrë që t’i transferojmë verë e ardhshme“, ka deklaruar Koço Kokëdhima./Halit Delibashi-Sport Ekspres/