Arjen Roben mori një vendim që befasoi jo pak. Holandezi dha dorëheqjen nga futbolli në vitin 2019, por nuk rezultoi të ishte përfundimtare. Tundimi për të shkelmuar topin në tapetin e gjelbër ishte i madh dhe ish-sulmuesi i Bajernit të Mynihut nuk i rezistoi dot. Pas një viti pushim, Roben vendos t’i rikthehet edhe njëherë futbollit profesionist. Lojtari firmosi për Groningen në elitën e Holandës.
Sot erdhi edhe debutimi i tij pas atij pushimi 1-vjeçar kundër një emri të madh si PSV Eindhoven. Por koha e gjatë jashtë fushave ka bërë të vetën, teksa Arjen Roben reziston vetëm 30 minuta në lojë. Aq ka mjaftuar që 36-vjeçari të largohet nga fusha për shkak të një dëmtimi, që ka të bëjë me kofshën e tij. Pas kësaj ndoshta holandezi do e vërë sërish në pikëpyetje të ardhmen e tij në futboll./Halit Delibashi-Sport Ekspres/