Nga Klaudio Ndreca
Bulent Korkmaz është larguar si trajner i Konyaspor menjëherë pasi skuadra e elitës turke firmosi me Sokol Cikalleshin. Tekniku turk nuk e priti mirë këtë vendim, ndërsa ishte kundër prurjes së këtij lojtari.
Por pavarësisht dëshirës së tij, sulmuesi shqiptar u zyrtarizua vetëm pak ditë më parë. Menjëherë do të vinte edhe dorëheqja e Korkmaz nga posti i trajnerit, ndërsa pritet që të fillojë edhe kampionati në Turqi. Konyaspori e ka cilësuar këtë vendim si një tradhëti, ndërsa u shprehën se trajneri ishte informuar mbi prurjen e Cikalleshit. Por cili është versioni i Korkmaz? Ky i fundit ka folur hapur mbi këtë rast.
“Në sezonin e fundit ne kishim vështirësi të mëdha në shënimin e golave. Po punonim shumë në merkaton e verës për ta zgjidhur këtë problem. Derisa klubi zgjodhi që të zyrtarizon një prurje, Cikalleshin. Pasi arritën marrëveshjen me të, më kanë dhënë informatat dhe unë nuk e kam pranuar. Nëse të sjellin ty një lojtar që ti nuk e aprovon, atëherë kjo do të thotë se nuk ka trajner këtu. Menjëherë pas kësaj që ndodhi, ndërsa deri në këtë moment kemi punuar së bashku mbi sjelljen e futbollistëve, vendosëm të largoheshim”, u shpreh Korkmaz. /Sport Ekspres/