Nga Klaudio Ndreca
Alban Bushi ka një meritë të madhe, më veçanërisht për këto dy takime të fundit të Shqipërisë U-21, për përzgjedhjen e lojtarëve që kishin etiketën “Shqipëri”, të kombinuar me cilësitë më të mira që vinin nga jashtë vendit tonë. Pak minuta ndaj Austrisë për Armando Dobrën, një “Lionel Mesi shqiptar” që preferon këmbën e djathtë, bënë që lojtari i Ipswich të binte menjëherë në vëmendje. Në ndeshjen ndaj Andorrës U-21 e nisi si titullar, duke bërë kështu zgjedhjen më të mirë.
Por në të njëjtën kohë edhe me leximin e lojës Bushi ka qenë i saktë në këto dy takime. Ernest Muçi dhe Armando Dobra do të ishin të papërballueshëm për Austrinë në transfertë teksa vinin nga stoli, ndërsa ndaj Andorrës do të përmbysnin ndeshjen dy lojtarët e ardhur nga pankina, Xhakomo Vrioni dhe Emiliano Bullari. Ndërkohë në një intervistë për “Gol nga Tribuna”, një emision që flet shqip në Greqi dhe merret vetëm me sukseset e lojtarëve shqiptarë në veçanti, Alban Bushi ka dhënë shpjegim për gjithçka, duke prekur tema nga më të ndryshmet.
“Emiliano Bullari ka arritur që të na ndihmojë shumë në minutat e fundit ndaj Andorrës. Bëri në mënyrën e duhur atë që ne i kemi thënë, por nuk mund ta përballonte dot për 90 minuta takimin pasi nuk ka pasur shumë hapësira te Olimpiakosi. Ne e kishim përgatitur takimin me dalje nga krahët dhe krosimet për të thyer Andorrën duke kërkuar shfrytëzimin e gjatësisë së Vrionit dhe Bullarit, dy lojtarët që i kemi futur në pjesën e dytë. Më vjen mirë që Bullari e gjeti golin dhe zotëron cilësi të mëdha.
Sa i përket Sherif Kallakut, do të jetë pjesë e Shqipërisë A për 13-14 vitet e ardhshme. I duhet me patjetër Kombëtares A. I duhet me patjetër pasi është një lojtar që Kombëtarja A nuk e ka, pasi të qetëson lojën, jep asist dhe ka shumë fantazi. Do të bëj diferencën te Kombëtarja pasi është nga ata lojtarë që në fakt edhe Europa nuk i ka më. I ngjason stilit të Pirlos apo Totit, që nuk i sheh shpesh në Europë. Tani ka shkuar te Lokomotiva e Zagrebit dhe shpresoj se do të bëhet më i fortë fizikisht.
Këto kohë nuk kemi vuajtur për lojtarë, madje i kemi pasur me shumicë elementet cilësorë. Unë nuk e thashë më kot që do të jemi si një Francë e vogël. Kjo pasi ka shumë talente shqiptarë dhe pas një kohe do të vijë momenti që nuk do të dimë se kë do të zgjedhim. Do të ngelen jashtë emra të mirë, pasi do të merren ata që janë më në formë. FSHF ka shumë vite që po investon me moshat dhe infrastrukturën.
Shikoni, unë i kam thënë lojtarëve që para ndeshjes me Austrinë që mund t’i shënojmë 4 apo 5 se e njihja futbollin e kësaj Kombëtare, luan hapur. Në këto kohë ka shumë media dhe fjalët tona dalin kudo, lojtarët i lexojnë dhe nuk po them një gënjeshtër. Nëse Shqipëria mobilizohet dhe jep maksimumin mund të mposht çdo Kombëtare se kemi një zemër të madhe dhe shpirt sakrifice.
Por po të duam ne! Fryma që po fus unë te këta çuna është se nuk toleroj aspak në stërvitje. Stërvitjet e U-21 janë si ndeshje dhe ua kam përsëritur lojtarëve. Futbollisti i parë që do të toleroj me stërvitjen, nuk ka asnjë shans të vetëm që të luajë në ditën e ndeshjes”, u shpreh Bushi. /Sport Ekspres/