Skënderbeu ka kaluar në vitet e fundit një sukses të jashtëzakonshëm jo vetëm duke sunduar futbollin shqiptar, por njëkohësisht duke prekur edhe grupet e “Europa League”. Kështu është krijuar edhe historia për ekipet shqiptare që mund të mbërrijnë larg në kompeticionet me nivelin më të lartë në Europë, ku mjaftojmë të theksojmë se në një përballje direkte ia hoqën mundësinë për të mbërritur në “Europa League” një skuadre si Dinamo e Zagrebit.
Por dënimi i dhënë mbi trukimet e ndeshjeve me 10 vite pa të drejtë për të marrë pjesë në kompeticionet europiane, ka bërë që vetë trajneri Daja dhe futbollistët më të mirë të largohen nga Korça. Një nga figurat ikonë të klubit siç raporton “EuroNews Albania”, Xhambazi, e ka komentuar në këtë mënyrë vendimin.
“Është një dënim me vdekje. Pasi është një dënim 10 vite pjesëmarrje në kupat e Europës. Është një dënim maksimal. Kam besuar se ekipi nuk ka bërë ndonjë faj. Lëshime ka pasur, siç i shohim dhe në ligat europiane apo dhe në kampionatin europian. Nuk duhet t’ia ndryshojmë emrin Skënderbeut apo të kemi një ekip tjetër. Skënderbeu është Skënderbeu dhe ka akademinë e tij”, u shpreh Xhambazi.
Nga ana tjetër edhe Jani Kaçi, nuk dëshiron që të vërtetohen zërat e fundit për krijimin e një skuadre të re, “Klubi duhet të mbajë atë emër, të vazhdojë, me atë emër, pasi ka një histori 120 vjeçare dhe është një histori e lavdishme dhe nuk duhet ta humbasim”, tha Kaçi. /Sport Ekspres/