Kukësi dhe Bylisi kishin rënë dakort për të testuar lojtarët në një ndeshje miqësore ditën e sotme, por që në fund nuk rezultoi aspak e tillë. Mallakastriotët duket se e kanë marrë më seriozisht se sa realisht duhet, duke bërë një lojë të ashëp kundër verilindorëve. Kjo ka bërë që trajneri Skënder Gega të marrë një vendim ekstrem për të tërhequr ekipin nga fusha përparë vërshëllimës përfundimtare.
Bylisi ishte duke udhëhequr 1-0 në momentin e përfundimit të parakoshëm të kësaj ndeshjeje, rezultat që duket se e dëshironin me çdo kusht, pavarësisht kishin të bënim thjesht me një miqësore. Kukësi ka njoftuar përmes faqes zyrtare vendimin e marrë nga trajneri Gega, që tani më shumë se asnjëherë nuk dëshiron të ketë lojtarë të dëmtuar. Përpara i pret një sfidë tejet e vështirë me Volfsburgun dhe dëshiron të ketë grupin e plotë për të besuar në një surprizë në “Air Albania“ kundër gjermanëve.
“Ndeshja miqësore mes Kukësit dhe Bylisit u ndërpre në pjesën e dytë. Loja e ashpër, bëri që situata të dalë jashtë kontrollit dhe për këtë arsye, trajneri vendosi të tërhiqte ekipin nga fusha. Kjo ndeshje shërbente për provë lojtarësh, nuk kishte pikë dhe as përfitime!”, shkruan Kukësi në faqen zyrtare./Halit Delibashi-Sport Ekspres/