Interi nuk e ka harruar ende çështjen Marash Kumbulla. Marota është kthyer sërish te pista e mbrojtësit shqiptar. Zikaltrit vijnë me një tjetër strategji këtë herë. Dimarko është huazuar edhe për një tjetër vit te Verona me të drejtë blerje dhe është pikërisht emri i tij që mund të shërbejë si çelës për te Kumbulla.
“Tuttomercatoëeb” raporton se Interi nuk mund të paguajë shifrën e kërkuar nga verdheblutë , por dëshiron ta mbyllë marrëveshjen në verën e vitit të ardhshëm, duke e lënë edhe për një sezon në radhët e Hellas Veronës, në mënyrë që të maturohet edhe më shumë.
Ndërkohë mësohet se gjysmëfinalisti i Champions League, Leipzig, ka paraqitur një ofertë në tryezën e klubit Italian. Mirëpo shifra ka qenë nën 20 milionë euro, duke bërë që në Verona të mos e marrin në konsideratë dhe ta refuzojnë menjëherë./Halit Delibashi-Sport Ekspres/