“Pas leuçemisë, Covid-19 ishte si të pija ujë“, Mihajoviç shpërthen për kritikat: Ziliqarë! Të fajësosh ujkun, i leverdis gjithmonë deles

Covid-19 i doli si një betejë e re në jetën e tij, në një kohë kur ishte duke luftuar prej 1 viti me një sëmundje të rëndë si leuçemia. Por Mihajloviç nuk është dorëzuar dhe e ka fituar këtë betejë më pandeminë. Në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, trajneri i Bolonjës ka treguar se e ka kaluar lehtë virusin famëkeq, por ka shpërthyer me personat që e kanë kritikuar. Sipas tij e gjitha vjen nga zilia dhe xhelozia, kur një njeri i pasur dhe i famshëm si ai pushon në një vend luksoz si Costa smeralda në Sardenja.

“Pas atyre që kam kaluar nga korriku në janar në 6 muaj luftë të përditshme kundër leuçemisë, me 3 shtrime në spital si dhe trajntimet e kimioterapisë, Covidi ishte si të pija një gotë me ujë. Gjithashtu sepse isha asimptomatik nuk vura re asgjë. Por kjo nuk do të thotë se sëmundja nuk ekziston. Nuk jam pjesë e atyre që e mohojnë ose pretendojnë se është thjesht një grip.

Shkova me pushime si çdo verë në Sardenjë. Ishulli ishte pa virus në atë kohë, as edhe një i infektuar. Nuk e kisha parë familjen time prej 2 muajsh. Iu bashkova për t’i përqafuar sërish. Mos ndoshta nuk duhet të jetoja me fëmijët e mi si gjithë bota vetëm që t’i bëj qejfin disave që mendojnë drejt? Të gjithë gjykojnë dhe pak i pranojnë gjërat. Unë dhe famijla ime bëmë tamponët menjëherë sapo u kthyem nga Sardenja. Shumë drejtojnë gishtin, por nuk bëjnë testin, dhe mbase ata janë pozitivë asimptomatikë ose e kanë përjetuar me simptoma të lehta. Unë dhe familja ime, që në anën tjetër, kemi bërë kontrolle meritojmë të marrim ofendime apo leksione? Pastaj është thjesht zili dhe xhelozi. Të sulmosh dikë të pasur dhe të famshëm që poston foto nga Costa Smeralda është e lehtë. Pjesa tjetër është thjesht moralizëm i lirë. Të fajësosh ujkun i shkon gjithmonë për shtat deles”, ka deklaruar Mihajloviç./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *