Alban Bushi ka folur pas dy rezultateve pozitive që ka marrë Shqipëria U-21. Fillimisht duke fituar në transfertë me shifrat 1-5 ndaj Austrisë dhe për të bërë detyrën në kthesën me Andorrën ku u fitua 3-1. Në konferencën për shtyp, Bushi vuri theksin te prurjet e mëdha që kanë Shpresat.
“Unë më tepër frikë kisha Andorrën. Ajo që nuk mendoja ishin më tepër 3 gola kundër tyre sesa 5 golat kundër Austrisë. Ia kisha thënë edhe lojtarëve në analizën para ndeshjes se Austrisë mund t’i shënojmë 4-5 gola nëse luajmë mirë. Kjo pasi është si një skuadër gjermane që të lejon për të luajtur futboll.
Ne kemi mënyrën tonë për të luajtur dhe e mposhtëm lehtë, megjithëse në ndeshjen tonë të parë me ta gabuam. Pastaj Andorra rri gjithë kohën mbrapa dhe këtu hasim telashe. Për më tepër pastaj që erdhëm nga udhëtimi i lodhshëm dhe 2 ditë stërvitje kishim, po punonim vetëm nga krahët.
A do të jetë e vështirë për lojtarët e munguar të marrin vendin e formacionit? Unë të shoh si je në stërvitje, nuk ka rëndësi emri apo klubi yt. E kam thënë se me këtë brez ne jemi kthyer si një Francë e vogël. Ka dy Kombëtare te ne me prurjet e mëdha të lojtarëve. Reja ka aq shumë mundësi zgjedhje sa do të lërë prapë jashtë më të mirët. Bëni një analizë si media, ne ndërrojmë 12 lojtarë në çdo grumbullim me fytyra të reja për shkak dëmtimesh dhe se na i thërret Kombëtarja A. Objektivi ynë kryesor është që ta furnizojmë ku në 3 vitet e fundit kemi dërguar 13 lojtarë. Sa për objektivin tonë tjetër në grup, do të flasim pas Kosovës që e kemi ndeshje radhe. Ky është një projekt i FSHF dhe mund të shihni sesa futbollistë të talentuar vijnë nga moshat”, u shpreh Bushi. /Sport Ekspres/