Valon Et’hemi ishte një nga goditjet e Kukësit dhe gjetjet më të mira në futbollin shqiptar, ndërsa aftësitë e tij bënë që të linte gjurmë në fushë dhe të dallonte nga të tjerët. Por ndarja me verilindorët nuk ishte ajo që dëshirohej, ndërsa ende ka konflikte të pazgjidhura.
Kur lojtari ishte gati vetëm të hidhte firmën me ekipin polak të Zaglebie Lubin, Kukësi pretendonte se Et’hemi ishte ende në kontratë me ta deri në përfundimin e Kupave të Europës. Por nga ana tjetër kjo nuk pranohej nga lojtari që në bazë të marrëveshjes që kishte nënshkruar, ishte i sigurt se kontrata me Kukësin kishte përfunduar, ndërsa në rast se ekipi shqiptar mund të shkonte në grupet e Europa League, atëherë “e mbante peng” edhe për një sezon tjetër.
Kukësi do t’i dërgonte letra skuadrës në Poloni mbi pretendimet e tij dhe Zaglebie do të hezitonte me frikën e një dënimi të mundshëm që mund të merrte nga UEFA për nëshkrimin. E teksa avokatët janë futur në këtë çështje për të nxjerrë në pah të vërtetën, oferta të reja po shtrohen në tryezë për Et’hemi nga Polonia dhe Turqia. Pra në një farë mënyre hezitimi i gjatë dhe problemet me Kukësin mbi dokumentacionet, po sjellin edhe të mira. Ndërkohë futbollisti është duke vazhduar të stërvitet në Berlin të Gjermanisë duke pritur që të marrë fund kjo histori dhe të bëj një hap të madh në karrierë. /Sport Ekspres/