Kombëtarja e Shqipërisë luan nesër ndeshjen e parë në Ligën e Kombeve. Kuqezinjtë kanë mbërritur në Minsk, ku do të përballen me Bjellorusinë, nga ku edhe do të nisë ky rrugëtim i ri. I pranishëm me Kombëtaren gjendet edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili ka folur gjatë për mediat.
Kreu i Federatës shqiptare shprehet se dëshira e tij është që kuqezinjtë të dalin me 6 pikë të plota nga këto dy ndeshjet e para, ndërsa tregon se ndihet optimist për grupin e lojtarëve. Talente të reja të gërshetuara me eksperiencën e më të vjetërve të Kombëtares është ajo që jep shpresë për të ardhmen.
“Grupi është me katër skuadra pak a shumë të balancuara, pavarësisht se ne kemi ardhur si kokë grupi në short, por janë skuadra të balancuara, me të gjitha mund të bësh çdo lloj rezultati. Pa dyshim që objektivi ynë real, normal që është të jemi jemi të parët e grupit, uroj ta nisim mbarë nesër me Bjellorusinë dhe të vazhdojmë pastaj me ndeshjet e tjera. Nuk më duket e lehtë të motivosh ekipin pa spektatorë. Uroj të tejkalojmë dhe këtë specifikë dhe të kemi një rezutat pozitiv.”
Gjendja e futbollistëve: “Sa i përket gjendjes së futbollistëve, kjo është më se normale, që në një ndeshje nuk i ke të gjithë në dispozicion, nuk i ke gjithmonë të gjithë në formën maksimale, por do pranosh atë që ke, në fund të fundit, këtu janë zgjedhur më të mirët dhe diferencat mes tyre janë të vogla. Kam shumë besim te çdonjëri, që është grumbulluar”.
Prurjet e reja: “Çunat që janë sot në Minsk janë emra të rinj, të cilët japin një lloj shprese për të ardhmen e Shqipërisë. Çekiçi është një emër më i njohur i futbollit shqiptar, ka kaluar ekipet e moshave, ka luajtur pak më shumë, është një lojtar me një lloj eksperience. Por kemi dy emra të tjerë të rinj të cilët nuk e kanë prekur asnjëherë dhe njihen pak për njerëzit dhe që uroj që të kenë minuta që tani që të përgatisim një ekip akoma më të fortë për të ardhmen siç është sulmuesi Broja i Chelsea-t, që është huazuar në Holandë, apo qendërmbrojtësi Çepele, që publiku shqiptar pak e njeh, është shumë i vogël, rreth 17 vjeç dhe është për herë të parë në Kombëtare. Ka një lloj ndërthurje, ka lojtarë me eksperiencë, por jo me moshë të madhe, gjë që na bën optimist për të ardhmen dhe për këtë edicion dhe për të arritur objektivin kryesor që Shqipëria në 2024 duhet të jetë në Europian”.
Mbrojtësi Çepele: “Ai është aktivizuar me të rinjtë e Italisë, por faktikisht nuk ka qenë ndonjëherë i dyzuar. Ne kemi qenë në kontakt me prindërit e tij dhe pa asnjë lloj dyshimi ka thënë që unë do të luaj me Kombëtaren e Shqipërisë, pavarësisht eksperiencës me moshat në Itali dhe nuk është se Italia e skartoi, sepse nuk ishte i nevojshëm për ta, por vetë planet e tij kanë qenë të tilla, që të bënte një eksperiencë me U-17 e Italisë dhe menjëherë ka pranuar që t’i bashkohet ekipit shqiptar. Nuk ka pasur dyshimem as ai, as i ati. E thashë, unë kam biseduar me të që para se ai të aktivizohej me Italinë”.
I kënaqur me 4 pikë? “Të gjitha skuadrat janë të barabarta për mua, nuk është se ne bëjmë ndonjë diferencë të madhe, aq më shumë sot që ekipeve kombëtare sot i ofrojmë kujdesin maksimal. Kështu që në dy ndeshje, unë dua 6 pikë dhe ne i meritojmë 6 pikë. Por në dy ndeshje ne mund të dalim edhe me 0 pikë, kështu që le të marrim atë që do meritojmë në fushë”.
Ftesa për presidentët e Superiores: “Faktikisht, unë i kam ftuar të gjithë presidentët e Kategorisë Superiore, domethënë jo rastësisht, sepse ne kemi kaluar një vit të vështirë, si Shqipëri dhe si futboll dhe bashkë më presidentët i kemi kaluar le të themi së bashku, në mënyrë solide këto vështirësi. Dhe ky ishte destinacioni ynë i parë, lëvizja jonë e parë nga Shqipëria dhe ia kam propozuar dhe e kanë pranuar me kënaqësi që ta shoqërojnë ekipin dhe aq më shumë që nuk do kemi tifozë, por drejtuesit e futbollit shqiptar. Sot, ka qenë një ditë vizite në kryeqytetin e Minskut, kemi vizituar gjithçka, kemi vizituar historinë, kemi vizituar apo kemi parë nga afër dhe protestat e Minskut dhe patjetër që kanë diskutuar edhe për futboll dhe për problemet e tyre dhe të ardhmen e Kategorisë Superiore”.
Malli për Kombëtaren: “Në fakt, nuk ka ndonjë gjë ndryshe në lidhje me impenjimin e ekipit tonë kombëtar, dihet që i gjithë ekipi ynë kombëtar ka impenjim maksimal para ndeshjeve, sidomos para ndeshjeve zyrtare, siç është kjo e nesërmja për Nations League. Po i shikoj akoma me kurreshtje, sepse në njëfarë mënyre na ka marrë malli, u bë një vit që nuk jemi me ekipin, ku, gati-gati, u bëmë pesimistë në atë përiudhë kovidi dhe tani u rikthyem në një jetë ndryshe, më normale, me futboll, me ekipin, me një jetë sportive, kjo më bën që të isha më shumë i përqëndruar”, ka deklaruar Armand Duka, raporton “Supersport”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/