Ekskluzive/ “I thashë presidentit Halili”, drejtori i Tiranës tregon emocionet e shortit: Fondi nuk vjen për turin e tretë

Nga Klaudio Ndreca

Tiranës i është kthyer fati i munguar në përballjen ndaj kampionëve të Serbisë, atje ku shpërdoruan pafundësisht raste për të shënuar, ndërsa Crvena Zvezda fitoi duke luajtur “shëmtuar”. Ndërkohë sot te bardheblutë kanë arsye të mëdha për të festuar pasi shorti i ka kaluar menjëherë në fazën “Play-Off”, duke mos hasur pengesën e turit të tretë.

Në media është thënë se Tirana do ta marrë njësojë fondin e akorduar nga UEFA për ekipet që kualifikohen nga turi i tretë, por e gjithë çështja është sqaruar. Në një intervistë për “Sport Ekspres”, drejtori i Tiranës, Arbi Laçi, shprehet se paratë nuk vijnë si në rastin kur ekipe e tjera kalojnë nga fusha e lojës. Por pavarësisht kësaj, te bardheblutë ka vend për festë dhe optimizëm, pasi kërkojnë me ngulm dhe bindje grupet e “Europa League”.

Atëherë një emocion i parë. Jeni në “Play-Off” të Europa League. Kjo nuk është pak…

U kualifikuam me meritë në turin e parë dhe fati na penalizoi përballë Crvena Zvezdës. Kjo ishte një dhuratë nga Zoti dhe tani luajmë objektivin në 90 minuta. Që në krye të herës kemi deklaruar se duam grupet e Europa Ligës.

Si e keni përjetuar atë moment kur gogla e parë që u tërhoq ishte Tirana. Fati e ktheu borxhin nga Zvezda apo jo?

Po e ndiqja direkt shortin dhe kisha një ndjesi që do ndodhte kështu. Që pas eliminimit në Champions, pashë formatin me dy skuadra që shortoheshin për në Play Off dhe po e bisedoja me presidentin Halili. I shpjegova mundësitë që kishim me besimin që do të shkonte kështu. Shumë i bukur momenti kur u shortuam për në turin e katërt të Europa Ligës.

Pra e kishit menduar më herët që në Play Off mund të mbërrihej edhe kështu?

Ne do te luanim mundësitë tona për t’u kualifikuar pavarësisht kundërshtarit, po më mirë kështu. Besojmë te skuadra, cilësitë dhe karakteri. Kualifikimi në Gjeorgji dhe paraqitja fantastike përballë Zvezdës ka sjellë më tepër besim dhe entuziazëm edhe tek lojtarët.

Sa i përket pjesës ekonomike. Tirana e merr njësoj fondin e akorduar për ekipet e kualifikuara si të kishte luajtur raundin e tretë apo jo?

Jo fondi i turit të tretë nuk akordohet në këtë rast. Luajmë për kualifikimin në grupe dhe aty mund të flitet per benefite financiare që të japin me pas mundësinë për të rritur standartin.

Duke marrë parasysh pikën ku Tirana mbërriti sot, ndryshon ndopak plani i merkatos? Pra afrimi i ndonjë emri për nivele të tilla apo ndryshimi i planeve me lojtarët që keni në organik, si përshembull mbajtja e Muçit?

Ne kemi një strategji fituese, me përforcime cilësore që i presim dhe po punojmë për to. Europa për Muçin është gjithmonë e më e prekshme. Do të bëjmë më të mirën për të, për Tiranën e madhe dhe për tifozët bardheblu. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *