“Na mundi një ekip nga Shqipëria, e di që nuk duket mirë”! Tronditje te Beitar Jerusalem, nuk e prisnin nga Teuta

Nga Klaudio Ndreca

Eliminimi i marrë nga Teuta ishte një tronditje e madhe për Beitar Jerusalem. Ekipi izraelit konsiderohej si favoriti kryesor për të kaluar më tej, por fatmirësisht ishte ekipi i Martinit që bindi në lojë dhe rezultat, ndërsa golat e Krasniqit dhe Hebajt rezultuan vendimtar për të mbyllur takimin.

Një humbje që shkaktoi një tronditje të madhe për këtë skuadër, pasi bëri një paraqitje tërësisht zhgënjyese. Presidenti i skuadrës së Beitarit është shprehur se nuk mund të vazhdohet më në të njëjtën mënyrë pas ndeshjes me Teutën, duke paralajmëruar lëvizje te futbollistët dhe një shkarkim të mundshëm të trajnerit Roni Levy.

Nga ana tjetër edhe mediat izraelite kanë qenë të ashpëra ndaj kësaj skuadre duke e cilësuar si një turpërim për ta këtë eliminim. Ndërkohë kapiteni i ekipit, Idan Vered, kërkon të ndryshojë sadopak gjendjen: “Tani na duhet të bëjmë një ndryshim të madh në kampionat dhe të kthehemi në faktor aty. E di që nuk tingëllon dhe duket shumë mirë kur e them këtë pasi humbëm me një ekip nga Shqipëria që ne ishim shumë më mirë se ta, por do të vimë edhe të bëhemi faktor. Unë personalisht besoj shumë te ky ekip, pavarësisht se humbëm, do të kemi një vit me shumë suksese”, u shpreh kapiteni. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *