Ander Herrera, ky është futbollisti që i dha më shumë cilësi të shtuara PSG-së në finalen e sotme ndaj Bajernit të Mynihut në “Champions League”, megjithëse pa arritur të ndryshojë fatin e takimit. Ekipi gjerman fitoi në shifrat 0-1 dhe ngriti lart trofeun e këtij kompeticioni, për të sjellë dëshpërimin nga krahu i francezëve. Si ndihet PSG në këto momente? Ander Herrera e thotë qartësisht në intervistën pas ndeshjes, e cila në fakt është më e sinqerta që mund të vinte nga një lojtar, pa zbukurimet që jemi mësuar, duke treguar me dëshpërim se askush nuk do t’i kujtojë ato rastet e humbura, por vetëm faktin që Bajerni u shpall kampioni.
“Ne ndihemi si m** tani. Është e nevojshme që të mendojmë dhe të reflektojmë. Ndërtuam diçka me rëndësi për klubin dhe tifozët. Do të jetë e vështirë për të fjetur gjumë, për të folur edhe më tepër. Është e vështirë që të flasësh saktësisht direkt tani pas ndeshje, por unë përpiqem gjithmonë që t’i analizoj gjërat në mendjen time. Konkluzioni që unë kam nxjerrë deri tani është se nëse ti humbet raste të tilla siç ne i kishim në nivele të tilla që janë të larta, atëherë ata do të vrasin ty me shumë mundësi, siç e bënë.
Kemi krijuar shumë raste, nuk kemi arritur të shënojmë dhe pas kësaj ndodhi ajo që ndodhi. Bajerni shënoi i pari dhe sërish ne kishim rastet tona ne Marquinho, Mouting. Por të jemi të sinqertë, askush nuk do t’i kujtoj më këto. Urime për Bajernin sepse është skuadra më e mirë. Ata e dinë sesi të fitojnë. Kur ti humbet me këtë mënyrën tonë, merr shumë mësime për t’u bërë më i fortë. Që nga e shtuna do të mundohemi që të kthehemi sërish në rrugën tonë.
Por siç e thashë edhe më parë, nëse ti nuk i shfrytëzon në mënyrë perfekte mundësitë e tua, ata të vrasin lojën. Si është pa tifozë? Është e tmerrshme. Futbolli pa tifozët është asgjë dhe duhet të kuptohet se kjo luhet për ta. Pa ta, ne jemi asgjë. Sigurisht që edhe biznesi vazhdon përpara, por duhet të mbarojmë njëherë këtë situatë dhe duhet të kuptohet që ne e duam futbollin me tifozët”, ka thënë Herrera. /Sport Ekspres/