I dha lamtumirën Kombëtares, Duka me vlerësime për Mavrajn: Ke shkruar emrin në faqet më të arta të futbollit shqiptar

Mërgim Mavraj dha ditën e sotme lajmin e tërheqjes nga Kombëtarja shqiptare e futbollit. 8 vite e kanë shoqëruar mbojtësin të veshur kuqezi, ku ka bërë realitet edhe ëndrrën më të madhe të shqiptarëve, kualifikimin historik në Euro 2016. Mavraj jep kështu lamtumirën me një kontribut të madh të lënë pas.

Një lajm i tillë patjetër ka sjellë edhe një reagim nga kreu i FSHF-së, Armand Duka, i cili i prekur nga ky vendim kujton liderin e Kombëtares që nga koha kur nisi rrugëtimin e tij me kuqezinjtë. Duka thekson se Mërgim Mavraj tashmë e ka shkruar emrin e tij në faqet e arta të futbollit shqiptar dhe ndihet krenar për atë çfarë ai ka dhënë për Shqipërinë në fushë.

“Sot u njoha me vendimin e Mërgim Mavrajt për t’u tërhequr nga kombëtarja shqiptare. Lajme të tilla janë gjithmonë prekëse, sidomos kur bëhet fjalë për lojtarë të cilët kanë dhënë shumë për skuadrën tonë përfaqësuese.

Gjithmonë me këmbë në tokë, i gatshëm të sakrifikojë për të mirën e skuadrës dhe një lider plot edukatë – kështu e risjell gjithmonë në mendje Mërgimin që nga viti 2012, kur nisi rrugëtimin e tij kuqezi. Këto tetë vite u kulmuan me kualifikimin në Europianin 2016, arritje me të cilën ai e ka vendosur emrin në faqet më të arta të historisë së futbollit shqiptar.

Jam krenar për djem si Mërgimi, të cilët kombëtaren e kanë konsideruar si gjënë më të shenjtë. Siç u shpreh edhe ai sot, çdo gjë e ka një fund dhe vitet mbi supe kanë peshën e tyre. Duke vlerësuar maksimalisht kontributin e tij për Kombëtaren kuqezi, dua t’i uroj shumë suksese Mërgimit në të ardhmen dhe sa më shumë mbarësi”, shkruan Armand Duka./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *