Mund të shpallet kampion nga shtëpia, Lorenc Trashi i humbet sezoni me ekipin e ri në Kuvajt

Nga Klaudio Ndreca

Lorenc Trashi ishte një prej atyre largimeve të papritura nga Superiorja, teksa i shtonte pafundësisht cilësi elitës së futbollit tonë, por padyshim edhe Partizanit. Një aventurë e re nisi në Kuvajt, atje ku fillimisht mbrojtësi u shpreh se kërkonte eksperiencën jashtë Shqipërisë me patjetër dhe që nuk u bë e mundur më herët, por edhe për shkakun financiar.

Megjithatë ky transferim nuk ka nisur në mënyrën më të mirë ose më saktë ashtu siç do të dëshironte Trashi. Ish-lojtari i Partizanit nuk mund të debutojë dot për sezonin 2019-2020, por vetëm të ndjekë ndeshjet nga shtëpia, atje ku mund të shoh edhe sesi ekipi i tij i ri shpallet kampion.

Al Qadisiya ndodhet vetëm një pikë larg kreut që mbahet nga Al Kuwait, kur kanë mbetur edhe tre ndeshje nga fundi. Zyrtarizimi i kalimit të Trashit ka ardhur javë më parë, por është vonuar mbërritja e tij në Kuvajt për shkakun se nuk lejoheshin udhëtimet në bazë të rregullave të vendosura nga shtetet. Në vendin e ri ku ka mbërritur së fundmi Trashi, gjatë këtyre ditëve është miratuar tërësisht edhe plani i hapjes së jetës normale pas pandemisë, pasi po vazhdonte izolimi dhe futbolli nuk po kthehej që nga muaji shkurt.

Por një tjetër problem për mbrojtësin shqiptar është se me mbërritjen e tij në Kuvajt(tre ditë më parë), do t’i duhet që të qëndrojë 14 ditë në karantinë si masë e marrë nga shteti, kohë kjo e cila nuk i mundëson për të luajtur në këto ndeshje vendimtare të cilat mbyllen në fundin e muajit gusht për të vendosur kampionatin. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *