Padyshim një rast i rrallë është ai i Prishtinës në kualifikueset e Europa League. Bardhekaltërve u përsëritet sërish e njëjta situatë. Pasi u vendos që ndeshja të shtyhej për sot, por me kushtin që Prishtina të prezantohej me ekip të ndryshëm nga ai që u paraqit në Gjibraltar, ku 8 lojtarë rezultuan pozitivë me Covid-19, një tjetër lajm i keq vjen për kryeqytetasit e Kosovës.
Historia përsëritet në mënyrë identike. Prishtina arrin të ndërtojë një ekip me 20 futbollistë, të cilët përpara nisjes nga Kosova rezutojnë të gjithë negativë në tamponët e kryer. Por në Gjibraltar përgjigjet tregojnë tjetër gjë, teksa sërish 8 lojtarë rezultojnë të infektuar. Në këtë mënyrë janë vetëm 12 futbollistë në gatishmëri për të luajtur, gjë që bie ndesh me rregullat e UEFA-s, ku ekipi duhet të ketë të paktën 13 lojtarë për të zhvilluar takimin.
E nga ky rregull merr shkas edhe dinakëria e Gjibraltarit. Këta të fundit dëshirojnë patjetër fitoren 3-0 në tavolinë dhe po punojnë fort për ta arritur. Në Gjibraltar nuk tregohen aspak të drejtë, teksa në rastin e parë kur Prishtina kishte 14 lojtarë të gatshëm për të luajtur autoritetet bënë ç’mos për të mos u zhvilluar takimi. Ndërkohë tashmë nuk kërkohet e njëjta gjë, pasi autoritetet kanë vendosur të lejojnë ndeshjen, duke bërë që tashmë të jetë UEFA ajo që do ndërhyjë për të anuluar gjithçka për shkak të mosplotësimit të numrit të nevojshëm të futbollistëve.
Kjo ka sjellë edhe reagimin e Prishtinës, që po punon me UEFA-n për të zbritur në fushë, por situata nuk duket shpresëdhënëse. Një gjë është e sigurt, Lincolni dëshiron me patjetër fitoren dhe kualifikimin, por verdiktin nuk kërkon ta marrë në fushën e lojës./Halit Delibashi-Sport Ekspres/