I pranishëm në finalen e Champions League, Duka flet për “Sky Sports”: Reja ka objektiv Euro 2024, ja parashikimi për finalen

Të dielën do të luhet finalja e madhe e Champions League, që do të gjejë përballë dy klube të mëdha si PSG dhe Bajern Mynih. Në Lisbonë gjendet edhe kreu i FSHF-së, Armand Duka, i cili do të ndjekë nga afër këtë përballje në rolin e anëtarit të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit ka dhënë prej andej një intervistë për median prestigjoze “Sky Sports Italia”, ku ka dhënë parashikimin e tij mbi finalen, si dhe ka zbuluar ekipin për të cilin është tifoz. Gjithashtu në vëmendje është sjellë edhe Kombëtarja kuqezi, për të cilën Duka thekson se objektiv është kualifikimi në kampionatin Europian të vitit 2024./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Intervista e plotë:

– Jemi këtu ne Lisbonë me Presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit z.Armand Duka, në cilësinë e anëtarit të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s për të ndjekur finalen e të dielës. Si e shikoni? Për cilën skuadër bëni tifozllëk? Apo nuk mund të na e thoni?

– Në fakt nuk bëj tifozllëk për asnjë nga dy skuadrat finaliste të së dielës, pasi jam një tifoz i Milanit. Milani nuk është këtu, por e shikoj finalen si një ndeshje mes dy klubesh të mëdha që e kanë merituar të vijnë deri në finale. Jam i lumtur që në fund ne u rikthyem te futbolli dhe kemi arritur t’i mbyllim të gjitha aktivitetet. UEFA është e vetmja konfederatë në botë që ka arritur t’i mbyllëtë gjitha aktivitetet, edhe për këtë jam i lumtur, për këtë organizim.

-Ekipi kombëtar shqiptar drejtohet nga një trajner i yni, Reja. Ka një lidhje miqësore, gati vëllazërore nga ana e Shqipërisë. Pas De Biasit erdhi Panucci, tani Reja.

– Ka kohë që kemi italianë si trajnerë. Shumë futbollistë shqiptarë luajnë në Itali edhe e njohin më mirë edhe mentalitetin. Jemi mësuar. Edhe me De Biasin, me kualifikimin në Euro 2016, që për ne shqiptarët ishte si të arrinim yjet. Mëkat që ishte kjo periudha e virusit, e pandemisë COVID-19, na e ka vështirësuar aktivitetin tonë por kemi të njëjtin objektiv me Rejan, që të kualifikohemi në Euro 2024. Shpresojmë që ta arrijmë me një italian tjetër në stol.

-Sa i përket merkatos ka më shumë futbollistë shqiptarë në Itali, si Berisha, Strakosha, Gjimshiti, gjithashtu edhe Tare si drejtor sportiv?

– Tare është kthyer në pikë referimi, i cili me buxhet minimal ka arritur suksese me ekipin e Lacios në vitet e fundit. Sigurisht që ka ndihmuar futbollistët shqiptar të afrohen tek Lazio apo dhe në skuadrat e tjera italiane. Kemi shumë talente të rinj që luajnë në Itali siç është rasti i Kumbullës, por kemi edhe të tjerë që janë të perspektivës. Kështu që shpresoj të kemi më shumë futbollistë në Seria A.

-Po sa i përket finales së të dielës, si është parashikimi juaj?

– Sa i përket finales së të dielës, asaj të UEFA Champions League, është e vështirë që të parashikosh, mendoj sipas meje që Bajer Mynihu është një skuadër më e konsoliduar, por është një finale dhe gjithçka mund të ndodhë në një ndeshje të vetme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *