“Nuk më donin”! Gjimshiti rrëfen gjithë Atalantën: Më mirë të na mundnin 4-0, Gasperini më hoqi nga gjysmëfinalja

Berat Gjimshiti ka përfunduar me sukses një sezon ëndrrash me Atalantën. Vendi i 3-të në Serie A dhe mbërritja deri në çerekfinalet e Champions League janë një arritje e jashtëzakonshme për mbrojtësin shqiptar. Madje është i pari lojtar i Kombëtares kuqezi që prekte një çerekfinale të Championsit. Megjithatë ai eliminim i befasishëm me 2 gola në minutat e fundit ka lënë një zgjënjim te skuadra nga Bergamo, të cilën pak çaste e ndanin nga gjysmëfinalja.

Berat Gjimshiti ka rrëfyer gjithë Atalantën në një intervistë të gjatë për “Telegrafi”, ku tregon emocionet e mëdha të kompeticionit më prestigjoz për klube dhe arsyen e zëvendësimit nga ana e Gasperinit kundër PSG-së. Më tej ka kujtuar edhe momentin kur nga klubi i lajmëruan largimin pas huazimit nga Benevento, megjithëse një javë më pas kishte një prapakthehu nga Atalanta.

Humbja me PSG-në

“Janë emocione të mëdha kur e sheh që përballë ke emra të mëdhenj, por janë një tregues se edhe ti ke ardhur në atë pozitë përderisa luan ndaj tyre. Kemi bërë ndeshje shumë të mirë, por mëkat që humbën. U ndjeva shumë keq me eliminim pasi edhe nuk isha në fushë dhe nuk kisha se si t’i ndihmoja shokët e skuadrës. Më mirë të kishim humbur tre apo katër zero nga fillimi i ndeshjes se sa të humbasim ashtu në fund duke pësuar dy gola. Ka qenë një eliminim i dhimbshëm. Ne kemi luajtur pa frikë ndaj të gjithë kundërshtarëve. Sikur ta kalonim PSG-në nuk do të kishim frikë sikur të përballeshim edhe me Bayernin apo cilëndo tjetër skuadër”.

Zëvendësimi

“Zëvendësimi erdhi shkaku i kartonit të verdh që e kisha nga pjesa e parë. Trajneri më tha të kem kujdes pasi u ndëshkova pasi kishim të bënim me lojtarë shumë të shpejtë. Në momentin e inkuadrimit të Mbappes në lojë, atëherë trajneri më zëvendësoi pasi më tha se nuk donte të më humbiste për në gjysmëfinale në rast se kalonim tutje”.

Titulli në Serie A

“Nuk kemi menduar shumë për titullin, por nëse do ta fitonim atë ndeshje me Juventusin (2-2) në Torino atëherë kemi pasur gjasa, por Ronaldo na hoqi fitoren nga dora me një penallti të shënuar në minutën e 90-të. Nëse do ta fitonim atë takim do të kishim mundur të bëjmë befasinë dhe ta arrijmë titullin, por ajo ka shkuar tani dhe mendojmë për sezonin e ri”.

Rikthimi nga huazimi dhe komunikimi për largim

“Isha në Zurich afër familjes për pushime, kur drejtori sportiv më thërret dhe më thotë se nuk kam vend te Atalanta dhe mos t’i bashkohem klubit në fazën përgatitore. Ai më tha se duhej të gjeja një skuadër të re. Ishte menaxheri i skuadrës që po më thërret dhe më thotë që të t’i bashkohesha klubit në fazën përgatitore, teksa unë i thash si ka mundësi kjo, nuk do të bëhet pasi drejtori sportiv më ka thënë se nuk jam në plane. Të them të drejtën nuk i besova dhe i thash të më telefononte drejtori sportiv për të ma thënë këtë vendim.

Pas disa çasteve më ka telefonuar drejtori sportiv duke më thënë se duhet të nisem menjëherë nga Zurichu për t’iu bashkuar skuadrës, pasi ishte lënduar një mbrojtës dhe unë duhej të shkoja.

Kam marrë telefonin dhe kam biseduar me menaxherin duke i thënë se si të shkojë tek një klub që nuk më duan, ndërsa ai tha se duhet ta respektojë vendimin e klubit pasi jam nën kontratë me ta. Kjo ka bërë që të marrë rrugën dhe t’i bashkohem Atalantës në fazën përgatitore”, është rrëfyer Berat Gjimshiti./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *