Gazetarët serbë nuk duan t’ia dinë, tekniku i Crevena Zvezdës: Fjalët e Egbosë? Atëherë le të jetë Tirana favorite

Nga Klaudio Ndreca

Crevena Zvezda do të luajë në ditën e nesërme kundër Proleter Novi Sad në kampionat, në sfidën e fundit që do të ketë në elitën e futbollit serb përpara se të udhëtojë në Shqipëri. Gazetarët ishin të pranishëm në konferencën për shtyp përpara kësaj ndeshje, por askush nuk kishte interesin më të vogël për të. Të gjitha pyetjet e bëra prej tyre lidheshin vetëm me Tiranën, ndërsa tekniku i Zvezdës u kujtonte herë pas here se ishte pranë tyre për të folur për ndeshjen në kampionat, ndërsa konferenca për përballjen e Europës do të jetë disa ditë më vonë.

Në fakt ishte ndihmësi i Dejan Stankovic, Nenad Milijas, i cili foli sot në vendin e teknikut të parë. Mediat në Serbi tjetërësuan disi edhe fjalët e Egbosë pas fitores ndaj Dinamo Tbilisit, duke e bërë si një kërcënim me sigurinë se Tirana do të fitojë ndaj Zvezdës, pasi do të ketë edhe Zotin me bardheblutë. Kësaj pyetje Milijas i përgjigjet duke kaluar përgjegjësinë, për t’i quajtur kampionët e Shqipërisë si favorit, por Zvezda e di më së miri se çfarë duhet të bëjë në fushën e lojës.

“Do të luajmë një ndeshje mes dy ekipeve europiane, shkojmë në transfertë dhe është e vështirë. E dimë sesa e rëndësishme është fitorja dhe do të shkojmë vetëm për t’ia dalë. Ne kemi luajtur në 90% të ndeshjeve ndaj ekipeve të tilla që kthehen mbrapa dhe presin për mundësinë e tyre. Por gjatë kohës që ne sulmojnë, duhet të bëjmë kujdes edhe për kundërsulmet e tyre. Ka ende kohë deri te ndeshja. Lojtarët janë profesionist dhe do të shkojnë në Shqipëri vetëm për fitore.

Fjalët e Egbosë? Atëherë le të jetë kështu, le të jenë ata favoritë. Ne e dimë se çfarë na duhet, do të kemi kohë për të folur më gjatë për këtë. Ka një konferencë të posaçme vetëm për Tiranën. E pashë fitoren e Tiranës, surprizat janë si mundësi se vetëm një ndeshje është dhe nuk mund të korrigjosh gabimet”, u shpreh Milijas. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *