Nga Klaudio Ndreca
Kjo është një mirupafshim dhe kurrsesi lamtumirë! Me valixhet gati dhe duke u përgatitur për udhëtimin me avion, Armando Broja kthen kokën pas për të parë edhe njëherë stadiumin e Chelseat, ku debutoi në ndeshjen kundër Everton.
Qëllimin ia ka vendosur vetes qartësisht se do të rikthehet për të luajtur sërish atje, me fanellën e bluve të Londrës. Por për të mbërritur sërish në këtë pikë do të ketë kohë përpara, pasi Broja do të luajë në sezonin e ardhshëm te Viteshe në huazim.
“Sport Ekspres” ka zbuluar se marrëveshja është mbyllur dhe oferta është pranuar nga Armando Broja, ndërsa dita e prezantimit do të jetë e enjtja në orët e pasdites, atje ku do të kryhen edhe testet mjekësore. Sulmuesi shqiptar do të jetë nesër në Holandë për të nisur një aventurë të re në karrierë, në vendin ku ka mbërritur edhe Mount me Matiç përpara se të tregonin vlerat e tyre te Chelsea. /Sport Ekspres/