“Ju e mbani mend Kukësin, këta janë më mirë”! Trajneri i Dinamo Tbilisi: Presidenti na premtoi, gjetëm informacione për Tiranën

Trajneri i Dinamo Tbilisi ka ngritur optimizmin në krahun e ekipit gjeorgjian, duke premtuar kualifikimin për tifozët. Në konferencën për shtyp, Chkhetiani shprehet se ka gjetur informacione dhe ka studiuar në detaj kundërshtarin, për ta mundur në përballjen e nesërme. “Do i bëjmë të lumtur njerëzit tanë”, është mënyra sesi shprehet përpara kësaj ndeshje. Por për të mbërritur në këtë pikë kërkohet një vëmendje e madhe, pasi eksperienca me ekipet shqiptare i ka treguar se siguria nuk ekziston kurrë.

“Ekziston shpirti luftarak në skuadër. Nuk dua të flas paraparakisht për shanset. Ne do të luajmë ndaj një ekipi të mirë, por do të shkojmë në fushë për fitore. Shpresojmë te Zoti, te lojtarët dhe tifozët tanë, megjithëse nuk janë në stadium. Gjetëm informacione për Tiranën me aq sa kishim mundësi. Kanë linjën sulmuese shumë të mirë, me futbollistë brazilian dhe argjentinas. E kemi diskutuar me futbollistët tanë që do të bëjnë gjithçka nesër.

Do t’i bëjmë njerëzit të lumtur. Tirana luajti edhe në finalen e Kupës prandaj nuk është në gjendje të keqe fizike. Nuk është se kemi shumë avantazhe pasi kemi luajtur ndeshjen e fundit pa shumë kualitet, megjithëse nesër do të jetë motivim tjetër. Të mundnim Kukësin nuk ishte e lehtë, ju e mbani mend. Duke i krahasuar këto ekipe, për mua Tirana është me mirë. Megjithatë presidenti ynë na ka vendosur si qëllim grupet e “Champions League” dhe na premtoi premio të madhe. Megjithëse paratë nuk janë të rëndëisshme, do të luajmë për vendin”, u shpreh Chketiani. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *