“Fjalët e Halilit i keqkuptuat”, trajneri i Tiranës flet para ndeshjes: Keni ndryshuar shumë nga 17 vite më parë

Nga Klaudio Ndreca

Egbo ka folur në konferencën për shtyp përpara ndeshjes mes Tiranës dhe Dinamo Tbilis. Kjo përballje do të zhvillohet në ditën e nesërme dhe do të transmetohet falas për tifozët që do të kenë mundësinë për ta ndjekur në “RTSH Sport”.

Ndërkohë në mediat gjeorgjiane janë publikuar edhe fjalët e thënë nga Egbo përpara ndeshjes. Duke e respektuar në nivelin më të lartë kundërshtarin, tekniku i Tiranës ka sqaruar edhe intervistën e presidentit Halili. Ky i fundit u shpreh i lumtur duke e quajtur si një short me fat me bardheblutë, ndërsa kjo nuk mund të përtypej lehtë nga kundërshtarët që e morën si nënvlerësim. Ndërkohë Egbo ka sqaruar gjithçka se Halili ka bërë krahasimin me kundërshtarët e tjerë që mund të ndeshej Tirana.

“Unë mendoj se të luash në shtëpi është një avantazh për Dinamon e Tbilisit. E vetmja gjë që mund të them është se ekipi im do të përpiqet për të bërë më të mirën që të arrijmë te rezultati i dëshiruar. Fjalët e presidentit tonë Halili u keqkuptuan, sepse ai donte që të thoshte se ne jemi po aq të mirë sa Dinamo, vetëm se si kundërshtar të mundshëm ishin Karabak, Astana që kanë më shumë eksperiencë. Prandaj ishte i lumtur që do të takoj Dinamon dhe jo një kundërshtar tjetër.

Jo vetëm niveli i futbollit në Gjeorgji, por edhe i vendit dhe i qytetit është shumë më mirë sesa 17 vite më parë. Kanë ndryshuar shumë gjëra nga atëherë. Unë nuk do të flas për të mirat dhe të këqijat e Dinamos. Ne e dimë që skuadra luan futboll të mirë dhe sulmues. Unë mendoj se shanset janë të barabarta. Qëllimi është të kalojmë në fazën tjetër dhe jam i sigurt që lojtarët tanë do të bëjnë çmos.

Për dallim nga Shqipëria, kampionati po luhet ende në Gjeorgji, gjë që i jep një përparësi Dinamos, por nuk ka kaluar shumë kohë pasi kampionati mbaroi te ne. Në çdo rast, ne do të bëjmë gjithçka për të fituar”, ka thënë Egbo. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *