Me frikën e një rasti përjashtimi si Prishtina dhe Drita tek Tirana? Tjetër situatë protokolli, bardheblutë shkojnë si “dhëndurë”

Nga Klaudio Ndreca

Kampionët dallohen sepse janë të kuruar që nga detajet! Kështu është Tirana që zbret në tokën e Gjeorgjisë për të luajtur turin e parë në “Champions League”, për t’i lënë mbresa edhe vetë kundërshtarëve të Dinamo Tbilis. Një skuadër që vjen me veshje të tilla, nuk tregon asgjë më tepër sesa një seriozitet të madh që nuk mund të kalojë pa vëmendje. Tashmë pritet që bardheblutë ta përfaqësojnë denjësisht Shqipërinë edhe në fushën e lojës, pasi në imazh ia kanë dalë më së miri. E sa shumë që ndryshon atmosfera nga futbolli në Shqipëri te ai në Kosovë.

Ekipet në trevën tjetër të Shqipërisë janë bërë “me hije” nga testet e Koronavirusit. Të luash për një vit që të mbërrish në ditën e pjesëmarrjes në Europë, ndërsa prej andej të largojnë për shkak të disa testimeve të gabuara që i kanë bërë të tjerët. Sa e rëndë mund të jetë kjo shuplakë? Inatin dhe mllëfin e ka kuptuar më së miri Drita, që u largua nga ndeshjet e Champions League duke humbur në tavolinë 3-0, pasi u rezultuan dy lojtarë pozitiv me Koronavirus.

Një “Deja Vu” që përsëritet edhe me Prishtinën ku tetë futbollistë dalin pozitiv në tokën e huaj, ndërsa me testimet që kishin bërë përpara se të niseshin nga Kosova, të gjithë ishin negativë. E sikur kjo të mos mungonte, këto ekipe duhet të përballen edhe me një trajtesë aspak të bukur pasi janë vetë hotelet që i kanë përzënë lojtarët e Dritës dhe Prishtinës.

Shumë ndryshe paraqitet situata për Tiranën që fatmirësisht nuk do të ketë histori të tilla vuajtjesh. Në protokollin e bërë publik thuhet saktësisht se FSHF ka arritur të bind gjeorgjianët që bardhebluve t’i mbesi në fuqi vetëm testimi i bërë që në Shqipëri për Koronavirusin, përpara se të niseshin për udhëtim. Pra Tirana nuk do t’i nënshtrohet një testi të dytë ashtu si ekipet në Kosovë, ndërsa me të parin kanë rezultuar të gjithë negativ. Menjëherë pas takimit të zhvilluar bardheblutë do të kthehen me një çarter të “Air Albania”, duke u nisur dhe shkuar si “dhëndurë”, për të marrë kualifikimin në Gjeorgji dhe për ta sjellë në Shqipëri. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *