Partizani kërkon që të rikthehet te suksesi dhe ngjitja e shkallëve në kampionatin shqiptar ashtu si në kohën që drejtohej nga Skënder Gega. Pas një sezoni të dështuar duhej një ngritje e menjëhershme, pasi tifozët nuk mund ti shohin kurrsesi “demat” në vendet e poshtme të renditjes.
E kush më tepër sesa Ilir Daja mund të sjellë optimizmin për të mbërritur te suksesi? Pasi e mbylli duke marrë më të mirën e mundshme edhe te Skënderbeu, trajneri shqiptar ka folur për “ABC News” duke treguar të shkuarën dhe të ardhmen. “Natyrshëm që kemi hallin e bllokimit të merkatos tani te Partizani. Drejtuesit po shohin për disa elementë për të përforcuar skuadrën, aty ku ne kemi nevojë. Jemi në kontakt të vazhdueshëm me disa lojtarë.
Fjala e Gaz Demit? Më ka premtuar që këtë javë të bëj një paketë lojtarësh, të cilët do na ndihmonin shumë në atë projekt që ka Partizani dhe i them që të realizohet sa më shpejt të jetë i mundur.
Unë kam drejtuar atë Skënderbe që nuk ka asnjë ndeshje të dyshuar. Ky Skënderbe bëri atë ecuri që shpresoj ta bëjnë edhe klube të tjera. Do duhet shumë kohë të ndodhë kjo gjë. I them Takajt që të vazhdojë ta drejtojë Skënderbeun, pasi në fund fare ka qenë një kënaqësi për të gjithë ne bashkë që punuam me atë klub”, ka thënë Daja. /Sport Ekspres/