Nga Klaudio Ndreca
David Silva është konsideruar thuajse një lojtar i Lacios, teksa vetë futbollisti ra në dakortësi me ekipin kryeqytetas. Edhe babai i tij u shpreh se po bëhej gati kalimi për të shkuar tek Lacio, duke thënë saktësisht se do ta dëshironte mbërritjen në “La Liga”, por ishte përjashtuar si mundësi pasi vetë futbollisti nuk e dëshironte një gjë të tillë duke e konsideruar kampionatin spanjoll si histori të mbyllur.
Igli Tare kishte bërë shumë udhëtime për të bindur David Silvën duke i premtuar gjithçka, nga kontrata që i shkonte përshtat dëshirës së yllit të Manchester City, te avioni privat për të shkuar në Spanjë kur të dëshironte dhe një apartament në Romë. E teksa priteshin vetëm vizitat mjekësore për të mbyllur zyrtarizimin, nga ana tjetër Real Sociedadi kishte nisur bisedimet sekrete. Madje ekipi spanjoll e ka zyrtarizuar në mbrëmjen e sotme David Silvën duke i habitur të gjithë. Sipas asaj që raporton Fabrizio Romano, tek Lacio janë të gjithë të tërbuar për këtë “pabesi”, me Igli Taren që është në rreshtin e parë dhe do t’i bierë përgjegjësia për një transferim që u quajt fakt i mbyllur dhe i shpëtoi nga duart në momentet e fundit. /Sport Ekspres/