Teuta e mbylli me trofe këtë vit jubilar. Një dhuratë e bukur kjo për një qytet që ka vuajtur shumë këtë vit, duke nisur nga tërmeti shkatërrues i nëntorit. Madje një ngjarje e tillë dukej sikur përfundoi edhe futbollin në Durrës, të paktën kështu shprehet presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu. Në një intervistë për “Top Channel“, presidenti që ka rezistuar për 21 vite në futbollin shqiptar rrëfen gjithçka, që nga fillesat e tij në krye të klubit bregdetar e deri te shpenzimet e mëdha që bërë në këto vite.
“E kam filluar në janar të 99-ës. Me këto mend që kam sot nuk do kisha shans të hyja. Ç’kam hequr nga futbolli! Nuk do kisha shans të vazhdoja në futboll. Fitimi i Kupës është një ndjesi shumë e madhe, sepse ky vit filloi keq në Durrës. Filloi me tërmetin. Kur ra tërmeti në Durrës të gjithë njerëzit donin të iknin, disa në Itali, disa në Berat, disa në Vlorë e në jug. Për vite do mbahet mend kjo gjë. Ne menduam që edhe futbolli iku. Nuk e harroj kurrë, edhe qeveria atëherë vendosi çadra në stadium dhe mendova se u prish gjithçka. Kjo na dha kujtime për qytetin, për njerëzit që kanë vuajtur nga tërmeti, nga Koronavirusi dhe kjo besoj na dha diçka nga ana morale.
Shumë pengje kam. Peng të madh kam vitin 2000, kur ishim të shkëputur nga Tirana 7 pikë përpara dhe e humbëm në fund kampionatin me ndeshjen në Peqin. Është peng në 2007/2008, kemi pasur ekip shumë të mirë. Barazuam me Kamzën në Durrës, ky është peng i paparë. Mbase duhet pak hile në futboll. Pavarësisht se na akuzojnë në presidentët sikur tolerojmë. Edhe në Kupën e Repuplikës, kam dëgjuar fjalë që ka toleruar Tirana. Ndoshta edhe vjen vetvetiu, sepse Tirana doli kampion dhe nuk ka atë dëshirën më të madhe se sa ne. Po kjo nuk do të thotë që toleroi Tirana.
Shkëmbi dhe Martini? Kam 21 vjet në futboll dhe i njoh të dy që futbollista, si Shkëmbin edhe Martinin. Madje Shëkmbin e kam marrë nga Korça në Kategori të Dytë dhe për herë të parë kemi paguar para. Kam pasur kontakte me të. Edhe me Martinin kam pasur marrëdhënie shumë të mira edhe si futbollist, pasi ishte më i këndshëm, shkodran domethënë. Me Shëmbin u ndamë sepse menduam të dilnim kampion, bëri ndeshje të dobët me Kukësit. Por aty bëmë një ndarje miqësore, menduam më mirë. Faktikisht me Edin na eci.
Për kundërshtarët që vijë dua të jem i qetë nga ana e arbitrimit. Shpesh më akuzojnë. Unë Armand Dukën e kam mik dhe më akuzojnë për faktin se presidenti i futbollit është nga Durrësi. Mua më vjen keq kur arbitri më favorizon mua. Dua drejtësi edhe këtu, edhe atje.
Shpenzimet e bëra për Teutën përgjatë viteve? Mos më pyet. Po ma kujtove dridhem, e lëmë fare më mirë“, ka deklaruar Edmond Hasanbelliu./Halit Delibashi-Sport Ekspres/