Klubi i Kukësit ka qenë në qendër të vëmendjes ditët e fundit, për shkak të një vendimi të dalë nga FIFA, që bllokon merkaton e verilindorëve për 3 sesione. Diçka e tillë është cilësuar si e pavërtetë nga presidenti i nderit, Safet Gjici, i cili ishte i ftuar në një lidhje direkte në “Skype“ mbrëmjen e djeshme në “Sport Neës Plus“ për të sqaruar këtë çështje.
Gjici thekson se vendimi është apeluar në CAS, si dhe ka mbi 2 muaj që ka ardhur. Për këtë fakt ka nisur edhe një debat mes kryeredaktorin e “Panorama Sport“, Jetmir Halilaj, i cili ishte i ftuar në studio, teksa thekson se e kanë marrë me vonesë informacionin.
“Nuk është aspak i vërtetë bllokimi i merkatos. Ata që kanë nxjerrë në media me vrap se është dënuar Kukësi nuk e kanë marrë vendimin e FIFA-s ashtu siç është. Një lojtar, Zderiç, ka kërkuar pagën e një viti pasi ka braktisur klubin muajin e fundit të sesionit kur ka qenë. Klubi ka dokumentacion dhe fakte. Nuk është e vërtetë që ne kemi bërë me vrap këtë dosje, se ka 2 muaj që ka ardhur vendimi. Por tani e kanë marrë këta të “Panoramës”, janë në vonesë në informacion. Nuk është vendim i formës së prerë. Kanë rënë pak këta të “Panoramës”, kanë qenë shumë të shkathët për t’i marrë në kohë. Çështja në CAS ka kohë që ka shkuar”, ishin fillimisht fjalët e presidentit Gjici, që sigurisht kanë marrë më pas edhe replikën e gazetarit Jetmir Halilaj për të vijuar më pas debatin në njëri tjetrit.
Halilaj: “Ma komplikuat shumë me këtë Presidenti i Nderit i Kukësit, por unë di që është presidenti i Kukësit Zoti Gjici. Pa firmën dhe pa fjalën e zotit Gjici nuk bëhet asgjë te klubi i Kukësit. Ju e pranuat dhe vetë, pavarësisht se e zbukuruat pak. Ka një vendim të FIFA-s, nuk kemi thënë që nuk do zhbllokohet. Duhet t’jua thonë gjërat siç janë, jo siç ju pëlqen juve t’i argumentini”.
Gjici: “Edhe ju duhet t’i shkruani gjërat siç janë, jo siç doni ju. Vendimi ka dy muaj që ka dalë jo sot“.
Halilaj: “Ne kemi pyetur Kukësin zyrtarisht. Ne nuk mund të marrim për çdo gjë në telefon presidentin aty. Ka edhe hierarki aty që mund të na sqarojë“.
Gjici: “E keni nxjerrë informacionin me vrap sikur keni kapur ndonjë lajm të rëndësishëm. A të flas? Se jemi dhe larg. Po të ishim afër flisnim më ndryshe”./Sport Ekspres/