Nga Klaudio Ndreca
Një model të vërtetë ka krijuar Lokomotiva e Zagrebit në Kroaci, teksa arriti që të kualifikohej edhe në “Champions League”. Skuadra e Tomiç u rendit në vendin e dytë dhe menjëherë pas Dinamos së Zagrebit duke tërhequr vëmendjen e mediave kroate për mënyrën sesi një ekip që nuk shpenzon shumë para arrin suksese të tilla.
Rroga mesatare e lojtarëve te Lokomotiva e Zagrebit është 3.000 euro që shkon neto, ndërsa më i paguari mbërrin në 6.000-7.000 euro. Shifra këto që mund të merren edhe në skuadrat më të mira të Superiores. Megjithatë në ekipin kroat nuk ka asnjëherë vonesa në pagesat e kryera, më tepër sesa 1 muaj.
Buxheti i skuadrës është afërsisht 5 milionë euro dhe merkato e bërë ishte pak më tepër sesa 1 milionë euro. Madje shifra më e lartë e shpenzuar do të ishte për Myrto Uzunin që arriti shifrën 350 mijë euro, me lojtarin kuqezi që tashmë u shit te Ferencvarosh për 1.8 milionë euro. Një fitim i garantuar dhe sukses i marrë me zotësi në gjurmimin e talenteve. Drejtori ekzekutiv i Lokomotivës, Denis Gudasic, ka folur për mënyrën sesi u ngrit skuadra kroate, me një shembull që duhet të ndiqet padyshim edhe nga klubet e Superiores.
“Kjo është mënyra jonë e të bërit biznes, mënyra e vetme në fakt që një ekip si i yni të ekzistojë me sukses. Ne shpenzojmë para me kujdes, jemi shumë racional për të mbijetuar. Kuptuam se ishte e rrezikshme të investoje para të mëdha në lojtar të caktuar. Në Kroaci kjo është e pamundur. Ato klubet që kanë shpenzuar kështu, i shihni se ku janë ata, në ligat më të ulëta. Filozofia jonë është shumë e qartë: “Përdor burimet e tua, mbështetu te akademia dhe shpërnda një shërbim të skautëve që të lokalizojë lojtarët më interesant dhe talentuar për ne”, u shpreh Gudasic. /Sport Ekspres/