Egbo ka marrë jehonë të madhe edhe jashtë kufijve të Shqipërisë, teksa shkroi historinë duke qenë i pari afrikan që fiton kampionat në Europë. Por në një intervistë për “BBC” tekniku i bardhebluve ka treguar një anë tjetër, atë të rracizmit. Madje edhe duke pretenduar se në drejtim të tij janë hedhur edhe banana nga tifozët. Por këto deklarata kanë ndezur debat në Shqipëri. Drejtori sportive i Partizanit është shprehur në “Procesi Sportiv” se nuk ka vënë re nga tifozët thirrje apo veprime rraciste. Për më tepër tregon edhe rastin kur në Shqipëri janë ndjerë të mirëpritur edhe lojtarë serb, pavarësisht problemeve politike mes dy vendeve tona.
“Kam respekt për Egbonë se përderisa jep intervistë për “BBC” do të thotë që ka arritur një sukses se është i pari trajner afrikan që fiton në Europë. Por që të shtyhet të bëjë këtë deklaratë për mua është ekstreme. Nëse ka një ndeshje ku kjo do të ishte problem, do të ishte derbi me Partizanin. Unë nuk kam dëgjuar asnjë thirrje, asnjë tentativë. Nuk kam parë asnjë banane, asnjë kumbulll, asnjë limon të hidhet në fushë. Kjo pjesë e rracizmit në futbollin shqiptar nuk ekziston si ndodh në kampionatet e tjera. Aq më tepër te Egbo që nuk kam dëgjuar ndonjëherë të flitet se ky trajneri me ngjyrë po fiton. Përkundrazi ka pasur një lloj simpatie.
Një deklaratë e tij shkon përtej limiteve. Federata duhet të mbajë një qendrim në lidhje me këtë sepse i vë një njollë futbollit në Shqipëri, të cilin ky i fundit nuk e meriton. Kemi shumë gjynahe por këtë nuk e kemi. Trajneri i parë afrikan që fiton në Europë nuk ka nevojë të bëjë një reklamë të tillë që e ka pasur rrugën të vështirë, sepse nuk e ka pasur. Ne kemi pasur para dy viteve një lojtar serb, që pasi i ka mbaruar kontrata ka ardhur më është lutur dhe më thoshte si në Shqipëri nuk jam ndjerë si në asnjë vend tjetër. E jo më kjo të jetë ndjerë ndaj një afrikani”, ka thënë Olsi Rama./Halit Delibashi-Sport Ekspres/