Nga Klaudio Ndreca
Kur Egbo u shpreh se Tirana mund të arrijë në grupet e Europës, janë hapur shumë diskutime mbi ecurinë që pritet të kenë bardheblutë jashtë Superiores. Po sikur të thuhet se tekniku i kryeqytetasve e kishte fjalën për…”Champions League?”. Për momentin në Shqipëri kjo duket si një fantazi e çmendur pasi askush nuk e ka prekur më parë.
Egbo ishte i ftuar në programin e radios “No holds barred”. Kur është pyetur nëse do t’i pëlqente që të luante ndaj Manchester United dhe Chelsea-t në grupet e “Champions League”, nuk do të vononte edhe përgjigja e dhënë nga trajneri i Tiranës.
“Këto janë ato mundësitë që jemi duke kërkuar pasi nëse ti fiton ndeshje të këtij niveli, atëherë Zoti të shtyn lart. Unë jam një person që nuk i frikësohem askujt dhe kjo më ka ndihmuar që të fitoj. Prandaj mua më pëlqen që të shkojmë në grupet dhe të takojmë këto lloj ekipesh dhe t’i tregoj se unë e di se çfarë po bëj, pasi nëse beson në vete dhe në Zot, atëherë të jepet gjithçka. Kam pasaportën europiane, por nuk jam europian, jam nigerian. Nëse do të më thërrisnit, nuk do të thoja jo”, do të shprehej Egbo, me intervistën që është shpërndarë gjerësisht nga mediat në Nigeri. /Sport Ekspres/