Një lajm i mirë ka gëzuar tifozët shkodranë ditën e sotme, teksa klubi i Vllaznisë njoftoi nënshkrimin e marrëveshjes me Alban Xhaferin. Ky i fundit do të jetë sponsor i kuqebluve për 5 vitet e ardhshme dhe synon ta rikthejë skuadrën në nivelet më të larta, ku nuk mungon as dëshira për trofe. Por nuk ka pritur gjatë dhe Xhaferi ka vendosur të takojë ekipin.
Administratori i “Albaphoto”, i shoqëruar nga Suad Lici, ka vizituar lojtarët në seancën stërvitore që këta të fundit janë duke zhvilluar për ndeshjen e radhës kundër Skënderbeut. Xhaferi u ka thënë fjalët e para pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje, të cilat i zbulon vetë faqja zyrtare e klubit të Vllaznisë./Halit Delibashi-Sport Ekspres/
Njoftimi i klubit të Vllaznisë:
Biznesmeni Alban Xhaferi nuk ka humbur kohë dhe vetëm pak orë pas zyrtarizimit të marrëveshjes së arritur me Bashkinë Shkodër dhe KF Vllaznia, ka nxituar të takojë dhe ekipin. Ka qenë administratori Suad Lici, ai që e ka prezantuar para lojtarëve dhe stafit teknik, duke thënë se tani e tutje bashkë me z. Xhaferi do të bashkonin forcat për të bërë më të mirën për Vllazninë.
Më pas e ka marrë fjalën vetë z. Xhaferi i cili u ka thënë në fillim futbollistëve që siç ishin në dijeni, ka arritur një marrëveshje bashkëpunimi me Bashkinë Shkodër, për një menaxhim më të mirë të Klubit të Futbollit Vllaznia.
“U thashë lojtarëve dhe stafit se kemi bashkuar forcat me Bashkinë për të rritur nivelin e futbollit në Shkodër. U bëra të ditur se arsyeja pse jam këtu është dashuria për fanellën kuqeblu sepse jam rritur me këtë dashuri dhe kam ambicje të mëdha për ta rritur këtë fanellë në majat më të larta të futbollit shqiptar. Hyrja jonë në futboll do të ofrojë standarte të reja në shumë aspekte, kryesisht në pjesën e menaxhimit por edhe në rezultate dhe në elemente të
tjera që kanë të bëjnë me këtë lojë. U thashë se dëshira ime është të takoj gjithësecilin dhe për të folur më tepër,
por në këto momente i këshillova që të fokusohen tek sporti dhe të mos ndalen tek ato që thonë të tjerët. I kërkova që
të mendojnë më tej, tek momenti i vështirë që po kalon Vllaznia dhe të gjithë sëbashku ta kalojmë këtë moment në
mënyrë që vitin tjetër të kemi plane shumë më ambicioze për ta çuar këtë skuadër në nivele më të larta. Kuptohet që
këshilla ime ishte që të punojmë fort dhe bashkë edhe me ndihmën e Zotit, të arrijmë objektivin e duhur për të kaluar këtë fazë të vështirë dhe pastaj të mendojmë për sezonin tjetër”- kanë qenë fjalët e para të biznesmenit Alban Xhaferi
tashmë si pjesë e Klubit të Futbollit Vllaznia.