Negociatat mes Lazios dhe Veronës për Marash Kumbullën vazhdojnë ende dhe akordi pritet të jetë afër. Oferta e parë e bardhekaltërve u refuzua. Lazio ofroi 20 milionë euro dhe futbollistin Andre Anderson, por vlerësimi i kartonit të këtij të fundit duket se ishte ajo çfarë i ndau palët nga arritja e marrëveshjes. Kryeqytetasit e vlerësojnë 8 milionë euro lojtarin e tyre, që më parë ishte pjesë e Salernitanës, por Verona kërkon nga Lotito të bëjë një përpjekje shtesë për të fituar shërbimet e Kumbullës.
Sipas raportimeve nga përtej Adriatikut, Lazio është e gatshme të ofrojë edhe një tjetër futbollist në ofertën e saj drejt klubit verdheblu. Kryeqytetasit e kanë marrë seriozisht transferimin e Marash Kumbullës, gjë të cilën e konfirmoi edhe vetë drejtori sportiv, Igli Tare. Për këtë arsye do të përpiqen në maksimum që ta mbyllin sa më shpejt këtë çështje, duke ditur edhe faktin se pas mbrojtësit shqiptar qendrojnë edhe klube të tjera me emër që janë të gatshme të përfitojnë menjëherë nga situata./Halit Delibashi-Sport Ekspres/