Presidenti i Tiranës ka folur pas humbjes së fundit që kanë marrë bardheblutë ndaj Kukësit në shifrat 1-2. Një disfatë kjo që ka tronditur jo pak skuadrën kryesuese të momentit, që sheh vështirësitë për të mbërritur te titulli kampion. Në intervistën pas ndeshjes, siç raporton “Supersport”, Halili ka treguar se premio nuk ka munguar për lojtarët, ndërsa në të vetmin rast që nuk është treguar “dorëlëshuar” mbërriti humbja në Durrës.
“Është humbje që nuk e donim, por Kukësi e meritoi fitoren. Kukësi shfrytëzoi mirë rastet, ndërsa ne nuk e bëmë, por vazhdojmë të ecim përpara. E rëndësishme është që ne të ecim para adhe t’i marrim ndeshjet me radhë deri në arritjen e objektivit, që është titulli kampion.
Të them të drejtën, lojtarët e formacionit të parë nuk luajtën fare në Ballsh, ndaj nuk besoj se ka ndikuar. Ne u kemi qëndruar pranë lojtarëve dhe madje as premio nuk u mungoi, pasi vetëm një herë nuk vendosëm premio në Durrës dhe e humbëm ndeshjen. Nuk kanë pasur asnjë lloj presioni, ndaj tani nuk na mbetet gjë tjetër vetëm se të shohim përpara.
Nuk kam asnjë frikë dhe jam i bindur që vetë këta lojtarë do të dinë të reagojnë dhe të marrin pikët që na duhen për të fituar titullin”, ka thënë Halili. /Sport Ekspres/