Nga Klaudio Ndreca
Një diskutim i madh ka ardhur nga ndeshja e djeshme mes Bylisit dhe Tiranës që përfundoi në shifrat 2-1. Koeficentet e publikuar kur përfundoi pjesa e parë krijuan një zhurmë të madhe mediatike për një trukim të mundshëm të ndeshjes. Ndërkohë në një intervistë për “Sport Ekspres”, futbollisti i Bylisit, Jurgen Goxha, i ka hedhur poshtë këto zëra. Duke marrë për bazë ndeshjen kundër Kukësit ku ballshiotët ishin superior në 45 minuta hiqet edhe një vijë paralelizmi për të treguar se gjithçka është brenda normalitetit. Gjithashtu Goxha ka shpjeguar edhe situatën e penalltisë së humbur në minutën e fundit, që solli paksa edhe nervozizmin e Dovedanit.
Fitorja e djeshme kundër Tiranës. A mendon se Bylisi e ka bërë një hap të sigurt drejt kualifikimit?
Rezultati është pak i vështirë për ndeshjen e kthimit, por besoj se mund t’ia dalim për objektivin tonë.
Në media ka dalë se ekipi juaj e ka humbur të drejtën e pjesëmarrjes në Europë nga licencimi. Iu është komunikuar një gjë e tillë nga drejtuesit?
Jo nuk është na është komunikuar kjo gjë nga kjo pjesë. I takon klubit, nuk mund të flas.
Gjithashtu u raportua edhe për tonet e ngritura nga Dovedan për penalltinë që ti more përsipër. Çfarë ndodhi saktësisht?
Të them të drejtën te penalltia nuk më është caktuar mua. Thjeshtë ika, mora topin dhe kisha besim të madh se do të shënoja. Fatkeqësisht nuk ia dola dhe gjithë përgjegjësia mbetet mbi mua.
Në rrjetet sociale ishin tema e ditës dje koeficentet dhe një trukim i mundshëm i ndeshjes Bylis-Tirana. Për t’i vendosur vulën kësaj çështje, i betoheni tifozëve se kjo ishte një fitore e pastër dhe nuk kishte të bënte me teatrin?
Ne nuk kemi lidhje me koeficientet, nuk i shikojm ato. Futemi në fushë për të luajtur ndeshjet tona dhe kemi synim të shkojmë në finale. Sa i përket tifozëve jemi munduar të bëjmë lojë të pastër dhe kemi treguar që Bylisi është një kockë e fortë për kampionatin shqiptar. Përse nuk thatë që ishte e trukuar me Kukësin që luajtëm 45 minuta në portën e tyre? Nuk e kuptoj se përse diskutohet kaq shumë kjo situatë sepse Bylisi i ka mundur të gjithë këtë sezon. Mos të harrojmë edhe ndeshjen e parë që kemi fituar 3-1 ndaj Tiranës. /Sport Ekspres/