Nga Klaudio Ndreca
Rezultatet negative të marra nga ana e Barcelonës e kanë shpjegimin e tyre, ndërsa Reali i Madridit arriti që ta kalonte dhe të merrte kreun e renditjes. Në takimin e fundit katalanasit nuk shkuan më tepër se barazimi 2-2 ndaj Celta Vigos, me golin e Diego Aspas në minutat e fundit.
Teksa ishte koha që lojtarët të pinin ujë gjatë pjesës së dytë, zëvendës-trajneri i Barcelonës, Eder Sarabia, afrohet dhe kërkon që t’i jap këshillat e tij Lionel Mesit sesi duhej të vepronte në minutat e mbetura. Por ylli argjentinas e ka injoruar tërësisht duke mos e dëgjuar dhe komunikuar me të, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të Sarabias.
Të gjithën këtë skenë po e ndiqte me vëmendje dhe në përhumbje Setien, që kupton sesi situata i ka dalë nga duart. Menjëherë pas mbylljes së takimit do të ishte Luis Suarez që i dha një tjetër goditje pas shpine trajnerit, duke u shprehur se për rezultatet negative shpjegim duhet të jap Setien dhe askush tjetër nga lojtarët. /Sport Ekspres/