“Do jetë barrierë që do thyeht”, Mema i sigurt për tifozët: Pandemia nuk e ndal festën, krijova grupin me pak kosto

Superiorja po shkon drejt fundit dhe Tirana është pranë të prekë titullin kampion pas 10 vitesh. Një meritë e madhe këtu i shkon Egbosë, që ka bërë një sezon fantastik në krye të pankinës, me vetëm një humbje në 19 ndeshje. Megjithatë i gjithë grupi i vënë në dispozicion të tij është falë Ard Memës, trajnerit që drejtoi bardheblutë në muajt e parë të këtij sezoni.

Në një prononcim për mikrofonin e “Report TV”, Mema tregon se ka krijuar një grup me kosto të pakta, megjithëse meritat këtu nuk i mban vetëm për veten, por i ndan edhe me të tjerët. Sipas tij përpara ekipin e presin 3 ndeshje vendimtare, ndërsa nëse klubi arrin të prekë me dorë titullin kampion, duket i sigurt që tifozët bardheblu nuk do ndalen nga pandemia për të festuar.

“Tirana këto 6 muaj ka bërë atë që nuk ka bërë asnjë ekip, duke fituar të gjitha ndeshjet dhe duke administruar lojën dhe rezultatet. Tiranës nuk i ka munguar pjesa e lojës, edhe statistikisht shpeshherë Tirana e kam thënë luan më mirë futboll se kundërshtarët.

Shpeshherë thuhet se si mund të jem racional në përzgjedhjen e lojtarëve, që mos ta rëndoja dhe klubin te pjesa e financave dhe gjithashtu të jem i suksesshëm. Normalisht kjo ka ndodhur te Tirana dhe më bëhet shumë qefi sepse çdo gjë është bërë me shumë kujdes. E kam thënë shumë herë se nuk është Ardi njeriu i vetëm që ka bërë përzgjedhjet por i kemi bërë të gjithë bashkë. Me presidentin me Arbin, që është pjesë e klubit.

Tifozët e Tiranës, klubi i Tiranës dhe të gjithë dashamirësit duhet të jenë me këmbë në tokë sepse ka tre ndeshje shumë të vështira: Skënderbeu, Kukësi dhe Partizani. Është pak herët për t’u gëzuar. Normalisht një ekip me këmbë në tokë duhet t’i bëjë mirë llogaritë sepse janë ndeshje të rëndësishme për Tiranën.

Pjesa e pandemisë do të jetë një barrierë që do thyhet, nuk diskutohet. Tifozët e Tiranës, mjafton që ekipi të shpallet kampion dhe çdo gjë do festohet dhe do gëzohet pafund”, është shprehur Ardian Mema./Halit Delibashi Sport Ekspres/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *