Aventura e re te Le Mans nuk vazhdoi siç Frederik Veseli mund ta kishte imagjinuar. Për shkak të situatës aspak të zakontë të krijuar prej Covid-19, kampionati francez u pezullua përfundimisht dhe mbrojtësi kuqezi numëron vetëm 5 paraqitje me skuadrën e re. Një numër kaq i vogël ndeshjesh nuk i hyjnë aspak në punë për të realizuar qëllimin e tij, të binte në sy në Francë dhe më pas të shpresonte për oferta të tjera.
Në një intervistë për “Lematin.ch“, Veseli flet për të ardhmen dhe shprehet i hapur për çdo lloj oferte që mund t’i paraqitet në tryezë, mjafton që projekti të jetë i rëndësishëm. Madje nuk e përjashton as një rikthim në Zvicër, aty ka luajtur në hapat e para të karrierës dhe ka provuar edhe fanellën e ekipit kombëtar të moshave helvete.
“Qëllimi im ishte që të bija në sy në Francë pas kaq vitesh në Itali. Për shkak të kësaj situate të jashtëzakonshme, ky nuk ishte rasti. Unë ende nuk kam dëgjuar nga Empoli. Ata kanë një sezon për të përfunduar. Më ka mbetur një vit nga kontrata ime atje, kështu që ata më paguajnë, nëse duan të më mbajnë, unë do të qëndroj.
Situata në të cilën u largova nga Empoli nuk ishte shumë e mirë. Nuk dua të them shumë për këtë. Unë do të largohem vetëm nëse paraqitet një projekt i rëndësishëm, në një klub ku mund të luaj dhe të sjell përvojën time. Unë jam i hapur për gjithçka, nuk kam asnjë preferencë në mënyrë absolute. Mund të përshtatem kudo, flas pesë gjuhë.
A është Zvicra një mundësi? Sigurisht. Jam rritur në Renens, kam luajtur Lausanne-Sport si i ri dhe kam luajtur me Kombëtaren zvicerane deri në U21. Zvicra mund të më interesojë”, ka deklaruar Frederik Veseli./Halit Delibashi-Sport Ekspres/