Safet Gjici vazhdon me kritikat ndaj arbitrit Kridens Meta për ndeshjen mes Laçit dhe Kukësit. E mbyllur në shifrat 2-0, presidenti i verilindorëve shprehet se gjyqtari ka bërë gabime tendencioze për të mbrojtur ekipin e vendasve. I ftuar në emisionin “Procesi Sportiv” do të kalonte edhe më tej, duke u shprehur se Meta sillej si të ishte punëtor në klubin e Laçit.
“Kjo ishte një javë polemikash. Kishim thënë që kampionati të vendosej në fushë, por arbitrat po bëjnë hapa mbrapa. Sidomos në ndeshjen e fundit ku arbitri u duk si të ishte punëtor i adminitratës së Laçit, pra sikur ta kishte vendosur Laçi atë arbitër. Ne e dimë që në Laç nuk luhet futboll, por edhe në situatë pandemie kishte probleme me tifozët dhe sharje.
Nuk dua të justifikoj aspak paraqitjen e lojtarëve, por na mohuan penalltinë e pastër te Abazaj. I njëjti arbitër sa herë që luajmë me Laçin nuk na jep penallti. Ky ka eksperiencë, por nuk e di se çfarë e gjen në Laç dhe prandaj thashë që mund të jetë i punësuar në Laç. Gjithmonë e ka mbrojtur Laçin. Ky nuk ishte gabim njerëzor dhe pres që Federata ta dënojë. Na kanë sharë në mënyrë barbare ata tifozët, që delegatët kanë kërkuar të largohen”, ka thënë Gjici. /Sport Ekspres/