Breshia dhe Baloteli kanë shkuar drejt ndarjes. Sulmuesi italian nuk i shpëton polemikave as këtë herë, duke e pësuar sërish nga karakteri i tij unik. Një 30 vjeçar pa identitet të qartë, kështu e quan ish-trajneri i Kombëtares shqiptare Mario Balotelin. Xhani de Biazi ka folur në mediat italiane për gjendjen aktuale të ish-ekipit të tij, Breshias, dhe për “SuperMarion“, që e ka të vështirë të gjejë paqe në karrierën e tij. Sipas teknikut italian, Baloteli është një rebus dhe mosha e tij nuk është më e re për të toleruar sjellje të tilla.
“Breshia do të ketë patjetër probleme për të shpëtuar veten nga rënia. Ka grumbulluar pak pikë, nuk ka forcë tjetër në ADN. Unë nuk besoj në kthesat e fundit, kjo është organika që ka në dispozicion. Në të vërtetë, Breshia ka një lojtar më pak, është një kontradiktë.
Baloteli? Ata kishin investuar shumë në aspektet emocionale për ta përfshirë në këtë projekt. Për mua ky është një rebus. Ai ka nevojë për një trajtim ndryshe se të tjerët, nuk gjeti trajnerë që e kuptuan. Baloteli nuk është më një djalë, ai është 30 vjeç. Me siguri nuk ka një identitet të saktë, do të ketë disa probleme nga pikëpamja e marrëdhënieve. Ndoshta ishte e nevojshme një qasje tjetër”, ka thënë Xhani De Biazi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/