A do të vendosë premio Safet Gjici për ekipet që luajnë kundër Tiranës? Me laps në dorë, nuk përfitojnë të gjithë

Nga Klaudio Ndreca

Disa kohë më parë është pranuar edhe nga ana e Nderim Nexhipit, se te Kukësi do të diskutohet së bashku me Safet Gjicin për premio të ofruara ndaj kundërshtarëve të Tiranës. Bardheblutë që duken kaq “hyjnorë” me Egbon, mund të zbrisnin nga froni nëse arka e Gjicit mund të hapej për kundërshtarët e kryeqytetasve.

Megjithatë për momentin sigurisht që kjo ide nuk i pëlqen presidentit të nderit të Kukësit, ashtu siç preferon ta quajë veten. Ka ende edhe disa ndeshje, pra mund të themi se jemi ende herët për premiot. Pikësëpari verilindorët janë të dënuar për të fituar të gjitha ndeshjet e tyre dhe mbi të gjitha, finalen direkte ndaj Tiranës.

Çdo para e hedhur për kundërshtarët e bardhebluve përpara kësaj përballje do të ishte e pakuptimtë dhe pa asnjë llogjikë të vetme. Për më tepër që edhe kundërshtarët e Tiranës përpara ndeshjes me Kukësin, janë Vllaznia dhe Skënderbeu. Pra ekipe këto që kanë objektivat e tyre për të realizuar në këtë kampionat, ndërsa pas ndeshjes me verilindorët do të gjejnë Partizanin.

E parë në këtë mënyrë, nëse Kukësi arrin të fitojë me Tiranën dhe të shkurtojë diferencën në tre pikë, atëherë “thesi” mund të hapej llogjikisht në tre ndeshjet e fundit, ku bardheblutë do të luajnë me Flamurtarin, Laçin dhe Bylisin. Në fakt ky është titulli që Safet Gjici e kërkon më shumë pasi i ka pasur të gjithë presidentët e tjerë të Superiores dhe ambientin e futbollit kundër, teksa diskutohej se diferenca prej 9 pikësh me Tiranën ishte e paarritshme dhe shihej si një çmenduri që të shpresohej ende. Pra ky titull do të shijonte më shumë për Gjicin, pasi kështu do të tregohej se qëllimet më të “çmendura” mund t’i arrijnë njerëzit që janë pak më ndryshe nga normalja. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *