Kthimi i shumëpritur i Premier Ligës është pothuajse gati. Kampionati anglez rikthehet me premtimin për ringjalljen e interesit nga tifozët anglezë për të parë futbollin, të cilët duken se e kanë humbur pak dëshirën pas pezullimit për më shumë se 2 muaj të këtij sporti. Pavarësisht se duket se titulli kampion do të përfundojë në Liverpul, hijeshia e kësaj lige nuk do të bjerë, pasi të gjitha skuadrat do të bëjnë maksimumin për të arritur objektivat personale.
Rregullorja e Premier Ligës në kuadër të masave të COVID-19 detyron ekipet të luajnë çdo tre ditë në mënyrë që ky sezon futbollistik të përfundojë sa më shpejt. Megjithatë trajneri i Mançester Sitit, Pep Guardiola duket tejet i mërzitur për këtë fakt. Më konferencën për shtyp e vlefshme për sfidën ndaj Arsenalit, spanjolli tha se nuk janë të gatshëm të luajnë çdo tre ditë.
”Jemi të gatshëm të luajmë një ndeshje në javë, por tre dhe katër herë është shumë. Do të duhet të bëjmë rotacione të shpeshta, për të patur të gjithë skuadrën në dispozicion. Lojtarët janë në kushte të mira fizike, por nuk jemi të gatshëm për të përballuar këtë rutinë të re”, u shpreh Guardiola./Sport Ekspres/