UEFA pritet të marrë vendime të rëndësishme javën e ardhshme, kur edhe Komiteti Ekzekutiv do të mblidhet më datën 17 qershor. Vëmendje të veçantë do të ketë Champions League. Deri më tani e vetmja gjë e sigurt është se ky kompeticion do të zhvillohet gjatë muajit gusht, ndërsa vendi dhe formula janë ende të paqarta.
Në lidhje me këtë temë ka folur edhe kreu i FSHF-së, Armand Duka, i cili gjithashtu është anëtar i Komitetit Ekzekutiv në UEFA. Duka është shprehur për “Radio Punto Nuovo” në Itali se mund të ketë ndryshime në formulën e Champions-it. Presidenti i FSHF-së thekson se vendimi zyrtar do të merret më datë 17, por me shumë gjasa do të shohim skuadrat të përballen me vetëm një takim me njëra-tjetrën dhe jo me system vajtje-ardhje si jemi mësuar të ndodhë gjithnjë.
“Jam i lumtur që futbolli italian është rikthyer sot në fushë me një ndeshje shumë interesante: Juventus-Milano. Shpresojmë që kampionati të përfundojë. Rregullat në Itali janë pak të rrepta, shpresojmë që asgjë të mos ndodhë dhe të përfundojmë garat në mënyrën më të mire të mundshme. Final 8 në Lisbonë? Kam lexuar për këtë në gazeta, deri më tani nuk ka asnjë vendim.
Grupet janë duke punuar, por dokumentet për mbledhjet e datës 17 dhe 18 ende nuk kanë mbërritur. Më 17 do të marrim vendime zyrtare për gjithçka që lidhet me postin Covid. Nuk e di nëse do të luhet në Lisbonë, ka shumë diskutime. Një nga këto është e ardhmja e Ligës së Kampionëve, ne mendojmë të luajmë një ndeshje në vend të dy. Do të flasim edhe për Ligën e Kombeve për Shtator, Tetor dhe Nëntor. Ende nuk ka asgjë zyrtare, unë qëndroj në Stamboll (qesh).
Gushti do të jetë muaji i Ligës së Kampionëve, gjithashtu ai i kualifikimit për sezonin e ardhshëm, por mbase vetëm me një takim. Kështu do të jetë edhe për Europa League. Reformimi i Ligës së Kampionëve? Një ndryshim për kualifikuesit e radhës është i parashikueshëm, duke luajtur me vetëm një ndeshje nga çerekfinalja e tutje. Më 17 do të ketë diskutime për të gjitha programet e së ardhmes, veçanërisht se si do të përfundojë kompeticioni i këtij viti”, ka bërë të ditur Armand Duka./Halit Delibashi-Sport Ekspres/