“Tiranës i duhet trajner me eksperiencë në Champions”, Magani analizon Superioren: Partizani pa uri, të ndiqte Skënderbeun! Hoxha? Luftë mediatike

Ky sezon i ka gjetur dy skuadrat e kryeqytetit në situata krejtësisht të kundërta. Tirana është më e fuqishme se kurrë dhe po ecën me hap të sigurt drejt titullit kampion, ndërsa Partizani është larg sezonit të shkuar dhe e gjen veten në zonën e ftohtë të renditjes. Në të dyja rastet si meritat ashtu edhe dështimet i janë faturuar trajnerëve, të cilët janë kthyer në çështjen kryesore.

Në një intervistë me gazetaren Klevisa Alinani për emisinon “Fax Sport”, trajneri i njohur shqiptar, Gugash Magani, ka folur mbi gjendjen të dy klubeve të kryeqytetit. Sa i përket qendrimit të Egbosë në stol për kualifikueset e Champions League, Magani shprehet se ky i fundit e meriton të jetë në krye të pankinës, megjithëse klubit do i duhej një trajner me eksperiencë në këtë fazë delikate. Ndërkohë gjendjen e Partizanit e sheh si pamaturi të ardhur nga merkatoja e verës, ku erdhën largime nisur nga Skënder Gega, gjë që bëri të mos ketë më uri te kampionët në fuqi. Sipas trajnerit shqiptar, të kuqtë duhet të ndiqnin shembullin e Skënderbeut.

“Nëse presidenti shprehet që do jetë trajner po ai aktuali… Egbo deri tani ka bërë mirë edhe pse nuk e ka atë statusin e kryetrajnerit. Unë kam punuar me Egbonë edhe kur isha te Tirana. Gjithsesi kjo është punë që i takon Halilit, por mendoj që në Champions Tiranës i duhet një trajner që të ketë më shumë eksperiencë. Por duke qenë se Egbo ka bërë mirë deri tani e meriton të jetë në Champions.

Partizani? Pjesa e trajnerit në këto raste merr përgjegjësi më të madhe, sepse kështu e ka futbolli. Trajner është ai që në momentet kur nuk ka rezultate penalizohet. Pra edhe mund të shkarkohet ose mund të japi dorëheqjen. Ndërsa kur ka rezultate jo gjithmonë është trajneri aktori kryesor, janë lojtarët. Kjo është dicka që Partizani ka forcën ta rregullojë. Me gjithëse është shumë larg pritshmërive, sepse është një skuadër që kur fillon kampionati ka objektiv titullin. Siç kanë ardhur punët është afër mbijetesës. Ka dy ndeshje të lehta në letër dhe mund të shkojë aty ku e meriton.

Nuk mund ta them që nuk respektohet fanella. Po t’i referohemi edhe sezonit të shkuar bëri një performancë shumë të mirë dhe doli kampion. Partizani nuk ndoqi rrugën që ndoqi Skënderbeu për vite me radhë. Tregoi papjekuri në momente të veçanta, sepse nuk pati uri. Po të kishte pasur uri dhe po të mos ishin bërë shumë largime në merkaton e verës, duke filluar që te trajneri dhe te lotarë të veçantë, atëherë do të kishte ecur sipas pritshmërive. Në fakt nuk bënë një merkato të kujdesshme dhe u nxituan te ndërrimi i trajnerëve dhe janë në këto situata sot.

Largim i Hoxhës? Këto janë politika të dy klubeve. Kanë gjithmonë luftë mediatike me njëra-tjetrën. Edhe kur isha unë te Tirana dhe na kërkonin Morinën kur ishim për kampion. Kështu që mendoj është lajm i rremë”, ka deklaruar Gugash Magani./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *